Nafta bie me 5 Lekë, benzina me 3 Lekë

Nga mesdita e së mërkurës nafta dhe benzina do shiten më lire, pasi Bordi i Transparencës vendosur të ulë sërish çmimin e karburanteve në vend.

Nafta do shitet me 5 Lekë më pak, teksa 1 litër do të shitet me jo më shumë se 206 Lekë, nga 211 Lekë që është deri më tani.

Ndërsa benzina në vendimin e bordit është ulur me 3 Lekë. Nga 194 Lekë/ litër do të tregtohet me 191 Lekë/litër.

I vetmi çmim i pandryshuar mbetet ai i gazit, që prej disa ditësh është 71 Lekë/litër.

Sipas Bordit të Transparencës, vendimet për ndryshimin e çmimit të karburanteve në vend bazohen në lëvizjen e bursës Platts të Mesdheut si dhe faturave të operatorëve.

Vendimi i bordit vjen në një kohë kur edhe në tregjet ndërkombëtare, çmimi i arit të zi të papërpunuar ka arritur në nivelet më të ulëta që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë.

Kështu, në bursën e Teksasit në datën 28 Nëntor nafta arriti në çmimin 74 Dollarë për fuçi, ndërsa në bursën e Londrës ra në 81 Dollarë.

Tv Klan