MSH: 5 bashki mbeten zona të kuqe

Durrësi, Tirana dhe Kruja vazhdojnë të regjistrojnë raste të reja të të infektuarve nga koronavirusi. Pavarësisht luhatjes së shifrave të rasteve pozitive për Covid, epidemiologët e vlerësojnë të qëndrueshme situatën në vend.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 204 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar pozitivë 5 raste. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 3 raste në Durrës, 1 në Tiranë dhe 1 në Krujë, kontakte të rasteve të mëparshme pozitive”.

Në 24 orët e fundit, 13 pacientë janë shëruar.

“Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me Covid-19 në të gjithë vendin 969 qytetarë. Prej tyre, rreth 80% janë të shëruar. Aktualisht janë 167 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë”.

Të infektuarit nga virusi pandemik që kanë simptoma të lehta apo janë asimptomatikë po mbahen nën vëzhgim nga mjeku i familjes, ndërsa një numër i vogël të sëmuresh po trajtohen në spitalin Covid në Tiranë.

“Gjendja në Spitalin Infektiv paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 14 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive”. 

Pavarësisht situatës së qëndrueshme epidemiologjike ekspertët bëjnë thirrje të respektohen masat e higjienës dhe rregullat e distancimit fizik, për të shmangur përhapjen e virusit. Aktualisht në të gjithë vendin janë 5 bashki, Tirana, Durrësi, Kruja, Shkodra dhe Kurbini janë ende të përcaktuar si zonë e kuqe për Covid-19.

Tv Klan