“Qeveria, drejtësia dhe krimi janë ortakë” – TV KLAN

“Qeveria, drejtësia dhe krimi janë ortakë”

Ulja e dënimit për Dritan Dajtin, reagon Partia Demokratike 

Vendimi i Apelit për Krimet e Rënda, për të pranuar gjykimin e shkurtuar, duke i hequr kështu dënimin me burgim të përjetshëm Dritan Dajtit, ka sjellë reagimin e Partisë Demokratike. Në një deklaratë për mediat, PD thotë se sot, praktikisht është lënë i lirë një nga kriminelët më të rrezikshëm në Shqipëri.

Vrasësi i 4 Dëshmorëve të Atdheut, është lënë sot praktikisht i lirë nën kujdesin e plotë të Edi Ramës. Drejtësia e re që ndërtoi kryeministri i mandateve të blera nga krimi, ka vendosur që vrasësi i 4 policëve të mos dënohet me burgim të përjetshëm për çdo polic të vrarë, siç ishte vendosur përpara se Gjykata e Lartë e Edi Ramës ta kthente çështjen për rigjykim. Duke mbrojtur një nga kriminelët më të tmerrshëm, vrasës me pagesë, gjobëvënës, në krye të listës së te shumëkërkuarve deri në 2009-ën, drejtësia e rilindur e Edi Ramës dekurajon çdo punonjës të rendit të luftojë krimin e organizuar”.

Sipas PD, vendimi për Dajtin tregon se qeveria nuk ka ndërmend të luftojë krimin dhe se me drejtësinë e Kryeministrit Rama, bandat bëjnë festë.

Me vendimin e drejtësisë së reformuar të Edi Ramës, vrasësit të 4 policëve gjatë operacionit për arrestimin e tij, i kanë mbetur më pak se 10 vite burg. Tani, atij i duhet të gjejë një vangjushdako për të garantuar lirinë me kusht, njësoj si Lul Berisha para zgjedhjeve. Mesazhi është i qartë. Jo vetëm që Edi Rama nuk ka ndërmend të luftojë krimin dhe të çojë prapa hekurave bandat, por me drejtësinë që ai kontrollon, bandat bëjmë festë!”

Dritan Dajti është rasti më i freskët i listës së gjatë të vrasësve, trafikantëve, gjobëvënësve dhe kriminelëve më të rrezikshëm të liruar gjatë qeverisë së Edi Ramës! Hakmarrja për Drejtësi, Banda e Durrësit, Banda e Lushnjës. Trafikantët ndërkombëtarë të kokainës në Xibrakë. Këta jo vetëm janë të gjithë jashtë qelive të burgut, por bëjnë biznes si njerëz të nderuar të shoqërisë, pa iu prekur as qindarka nga pasuria kriminale. Partia Demokratike dënon me ashpërsi përpjekjet e Edi Ramës për t’i dhënë zemër krimit të organizuar me të tilla vendime të turpshme gjykatash shërbëtore të këtij sistemi që shqiptarët do ta shembin në 16 Shkurt”.

Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër policëve në Durrës gati 10 vjet më parë, u dënua këtë të premte me 25 vite burg nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, duke rrëzuar kështu Shkallën e Parë, e cila e dënoi me burgim të përjetshëm. Togat e zeza pranuan gjykimin e shkurtuar për të, duke shmangur në këtë mënyrë dënimin me burgim të përjetshëm. /tvklan.al

Kategori
PolitikaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*

Emisione