Gjykimi i shkurtuar për Dritan Dajtin, Kryeministri Rama thotë se është vepër e një drejtësie të kapur në panik nga frika e Vettingut. Të parin koment mbi vendimin e Apelit të Krimeve të Rënda që uli në 25 vjet dënimin për vrasësin e 4 policëve, Kryeministri e bëri në Rrëshen ku tha se qeveria nuk do mjaftohet me kaq

“Kemi të bëjmë me akt kriminal sepse jo vetëm i liruan por i rivranë. Nuk do t’i ndahemi kësaj çështje dhe këtë vendimi do ta bëjmë duke bërë të gjithë presionin e nevojshëm, edhe para gjykatës, besoj se nuk t’ia dalin kaq lehtë. Këta lloj gjykatësish dhe prokurorësh janë si tumore, dhe i keni parë sesi Vettingu po i largon të gjithë një nga një”.

Duke iu referuar akuzave të paraardhësit të tij, Rama thotë se drejtësinë e re e pengojnë gjyqtarë e politikanë  të korruptuar.

Edhe në këtë takim, Kryeministri nuk la pa ironizuar protestën e opozitës dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha, duke thënë se aspirata e tij e vetme është bashkëqeverisja me socialistët.

Më herët Rama pa nga afër rehabilitimin e rrjetit elektrik të Zejmenit, një investim i OSHEE-së që do t’i japë zgjidhje furnizimit me energji në këtë zonë. Po ashtu ai i dorëzoi Altin Prengës çertifikatën e agroturizimit për sipërmarrjen e tij, një restorant shumë i njohur i zonës që tashmë e ka shtuar duke ndërtuar dhe një bujtinë.

Tv Klan