Pesë gjyqtarët që pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin duke e dënuar me 25 vite burg do të kalojnë një proces disiplinor në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Iniciativën e ka marrë ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj që e cilësoi skandaloz dhe të papranueshëm vendimin e marrë.

Ministrja e Drejtësisë i kërkoi Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit të shohë me kujdes vendimin e gjyqtarëve të Dritan Dajtit.

Në një tjetër reagim për këtë cështje, ministri Brendshëm Sandër Lleshaj foli për lekë të krimit që kanë marrë në dorë drejtësinë.

Ministri i Brendshëm nuk lë pa përgjigje edhe akuzat e opozitës.

” Po aq të çmendura janë edhe reagimet e monstrave politike që përpiqen të keqpërdorin dhe të kthejnë në armë kundër qeverisë vendimet e disa gjyqtarëve, që ata vetë i kanë ushqyer gjatë viteve të qeverisjes së tyre në simbiozë me një sistem drejtësie të korruptuar dhe me rrjete e grupe kriminale që u rritën nën hijen e tyre”.

Dritan Dajti u dënua me 25 vite burg nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, duke rrëzuar kështu Shkallën e Parë, e cila e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 policëve në vitin 2009 në Durrës.

Tv Klan