Ulja e temperaturave ka kthyer sërish borën në juglindje dhe veri të vendit. Reshjet kanë qenë prezente prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës në lartësitë mbi 1300 metra të qarkut të Korçës.
Në Dardhë dhe Voskopojë trashësia e dëborës ka shkuar në 5 cm.
Nuk ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve, por drejtuesit e mjeteve duhet të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Në aksin Qafë Mali- Fierzë nuk paraqitet problem për qarkullimin për përdoruesit e automjeteve, por apelohet të përdorin goma dimërore.
Në Bashkinë Fushë-Arrëz, vijojnë reshjet e dëborës. Momentalisht trashësia e dëborës arrin rreth 6-8 cm. Rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vijon pa probleme.
Në akset e Hani Hotit – Tamarë, Vermosh dhe Bogë -Theth, për shkak të uljes së temperaturave dhe prezencës së ngricave në rrugë është bërë kriposja e tyre.
Reshjet e borës kanë prekur edhe qytetin e Peshkopisë në orët e para të mëngjesit, por me intensitet të ulët duke mos zënë shtresë.
Në zonat e thella të Kalasë së Dodës, Selishtës, Lurës dhe disa njësi administrative të Bulqizës, trashësia shkon afro 10 cm.
Si pasojë e reshjeve nuk ka pasur probleme në asnjë nga akset rrugore, si ai Peshkopi-Tiranë, ashtu edhe ai Peshkopi-Kukës.
Në të gjithë territorin ka pasur furnizim me energji elektrike, me përjashtim të një lagjeje në Ostren ku janë dëmtuar disa shtylla prej gati 10 ditësh dhe nuk janë riparuar ende.
Klan News