Gjatë fundjavës, në rrjetet sociale qarkulloi një video e parashutistit të njohur Xhonatan Islami, i cili pësoi incident gjatë uljes me parashutë në Himarë. Diçka nuk funksionoi dhe ai u ul në mes të plazhit, pranë pushuesve. Fatmirësisht, siç dukej edhe në video, ai nuk pësoi lëndime, por videoja ngjalli shqetësime.
Gazetari Artion Vreto, i cili ishte në Himarë këtë fundjavë për çeljen e sezonit turistik, shpjegon në programin “Rudina” në Tv Klan si ndodhi incidenti. Ai konfirmon se Xhonatani është shëndoshë e mirë dhe ka vijuar me fluturimet me parashutë.
Artion Vreto: Është shumë mirë, ka fluturuar dy herë, edhe dje fluturoi, edhe sot fluturoi. Incidenti ka ndodhur të shtunën, në Himarë pikërisht gjatë ceremonisë. Ndodhi një moment, ishte afër me tokën, por rryma zbritëse i zuri parashutën dhe nuk arriti të reagonte në kohë sepse ishte ulur me tokën. Ishte temperatura disi më e ulët për shkak të pasdites, ishte ora 7 dhe ndikuan disa rryma. Sigurisht, ishte afër tokës dhe nuk është se kishte ndonjë problem, po të ishte më lart nuk do të kishte ndodhur asgjë sepse u rihap parashuta, ishte në moment të fundit sepse janë masat e sigurisë, por fatmirësisht… unë them kur ha bukë bëhen edhe thërrime. Kemi disa sporte ekstreme, i respektojmë protokollet, raste ka. Nuk ishte aksident, ishte thjesht një ulje e fortë. Por fatmirësisht nuk pati probleme sepse parashuta u rihap siç hapet gjithmonë. Xhoni është shumë mirë./tvklan.al