E ndërsa sociologët ngrenë shqetësimin e impaktit social të emigrimit, që do të ndikojë në uljen e shtimit të popullsisë dhe problemet në skemën e pensioneve, bizneset japin alarmin për mungesën e fuqisë punëtore dhe mosshfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese që ka vendi.

Konkretisht vetëm për shkak të emigrimit mbetet pa u ezauruar thuajse gjysma e kapaciteteve prodhuese që sot ka Shqipëria në kulturën e ullirit.

Shqetësimi ngrihet nga Silvana Subashi, sipërmarrëse  dhe aktualisht  Presidente e “Shoqatës Shqiptare të Vajit të Ullirit”.

“Kjo sigurisht ndikon shumë sepse në vend që të jenë disa njerëz që të konkurrojnë për një vend pune tani nuk ka më kush të konkurrojë tek ky lloj vendi pune. Tek ullishtaria e kemi hasur problem që nga 1991 e më pas…ullishtaria është  në agoni nga 12 milionë rrënjë, vetëm 6 milionë janë në prodhim.”

E ndërsa njerëzit ikin, tek bizneset rritet edhe frika e rënies së konsumit.

“Trendi  në ikje i popullsisë do ndikojnë edhe në fuqinë punëtore dhe në atë konsumuese.”

Sipas Institutit të Statistikave që ka kryer anketime në terren, arsyet kryesore të largimit të shqiptarëve janë për mundësi punësimi. Kjo zë  84% të përgjigjeve, më pas si shkak janë bashkimet familjare, apo qëllimet e studimeve.

FMN dhe sociologët i bëjnë thirrje qeverisë të marrë masa konkrete për të frenuar emigracionin në mënyre që t’i krijojë qytetarëve kushte me të mira dhe rritje të qëndrueshme ekonomike.

Klan Plus