Ekipi zhgënjeu me barazimin pa gola me Tondela

Në Portugali u luajt java e parë e kampionatit pas pezullimit. Në stadiumin “Da Luz”, në shtëpinë e vet Benfica barazoi me Tondela 0-0 dhe mesa duket, tifozët e skuadrës vendase nuk janë pajtuar me këtë rezultat. Inatin e tyre e kanë shfryrë ndaj futbollistëve të skuadrës së zemrës Benficas, duke goditur autobusin me gurë dhe sende të tjera të forta. Dy prej lojtarëve janë plagosur nga ciflat e xhamave të thyer. 

Tifozët nuk kanë patur mundësi të ndjekin ndeshjen nga shkallët e stadiumit dhe e kanë konsideruar barazimin pa gola si një mundësi e humbur për të marrë kreun e renditjes që mbahet nga Porto. Kjo e fundit humbi ndeshjen e radhës dhe një fitore e Benfica-s do të ishte ngjitje në krye të renditjes. Sulmi ndaj autobusit solli edhe dy viktima megjithëse me lëndime të lehta. Futbollistët Julian Weigl e Andrija Zivkovic, u dërguan në spital në Lizbonë.

Me klubin portugez janë solidarizuar edhe shumë skuadra të tjera në Europë. Pas një pushimi të gjatë, ky episod i sulmit të ultrasve ndaj skuadrës së tyre nuk lejoi që futbolli në Portugali të riniste në mënyrën më të mirë për të harruar epideminë që mori mijëra jetë njerëzore në këtë vend.

Tv Klan