Brenda vitit nisin punimet për hapjen e gjurmës së rrugës

Brenda këtij viti do të nisin punimet për hapjen e gjurmës së rrugës së Unazës së Madhe, segmentin nga Pallati me Shigjeta deri tek rrethrrotullimi Shqiponja.

Drejtori i ARRSH, Ergys Verdho thotë se deri tani 25 familje kanë marrë dëmshpërblimin e shpronësisë.

“Nga Pallati me Shigjeta deri tek rrethrrotullimi sheshi Shqiponja, ka 146 familje që janë me certifikatë pronësie dhe 138 prona të cilat janë pa certifikatë pronësie. ARRSH ka filluar për 35 prona procesin e likujdimit tek gjurma e rrugës. 25 janë proceduar, kanë marrë paratë dhe 10 prej tyre janë teknikalitete”.

Sipas ARRSH, më shpejt procesi i likuidimit të shpronësimeve po ecën në lotin e parë të segmentit Pallati me Shigjeta-rrethrrotullimi Shqiponja.

“8 nga këto, 25 janë tek loti 1 ku bëhet fjalë që të nisë vepra. Po tek loti 1 kemi edhe 12 pasuri të tjera që duhet të aplikojnë për të marrë paratë ku do nisë gjurma dhe nisja e punimeve. Janë 1.2 miliardë Lekë në buxhetin e ARRSH”.

Ndërsa tek rrethrrotullimi, problemet vijojnë me banorët e ndërtesave të palegalizuara.

Për të gjitha objektet që preken nga gjurma e rrugës dhe që janë me certifikatë pronësie, pronarët e tyre duhet të paraqesin në ARRSH dokumentacionin për marrjen e vlerës së shpronësimit.

Tv Klan