Brenda vitit do të nisin punimet për segmentin rrugor nga Shkolla Teknologjike deri tek sheshi Shqiponja, pjesë e Unazës së Madhe të Tiranës. Teksa inspektoi perfundimin e punimeve  në rrugët dytësore që lidhin Komunën e Parisit me Unazen dhe Rrugën e Re Tiranë-Elbasan, ministri Damian Gjiknuri tha se fokus i invetsimeve do të jetë mbyllja e punimeve për akset rrugore që kanë mbetur pa përfunduar.

“Ky projekt nuk do të përfundojë këtu. Projekti do të vazhdojë deri tek ‘Sheshi Shqiponja’. Brenda këtij viti do të vazhdojmë punimet deri tek ‘Sheshi Shqiponja’ që të bëhet e mundur që lidhja direkte e unazës me aksin Tiranë-Durrës. Do të thotë një lehtësim i madh i trafikut dhe kemi të bëjmë me një nga veprat më madhore të investimeve publike.

Janë projekte kryesore dhe fokusi i katër viteve të ardhshme do të jetë përfundimi i rrugëve të nisura, plotësimi i gjithë rrjeteve kryesore, nyjeve kombëtare. Jo hapje rrugësh do kudo që nuk sjellin asnjë rezultat ekonomik apo nuk kanë efekt mbi komunitetin”

, u shpreh Gjiknuri.

Sipas Drejtorit të Autoritetit Rrugor, investimi në Komunën e Parisit i jep fund edhe përmbytjeve në këtë zonë.

“Ka përfunduar ndërtimi i kolektorit të shkarkimit të ujërave të bardha dhe të zeza nga Kodra e Diellit, është lidhur me lumin e Lanës dhe nuk do të kemi më përmbytje dhe ruajmë investimin e bërë”,

tha Afrim Qendro, drejtor i ARRSH.

Rrugët dytësore që lidhen me Unazën e Madhe janë të pajisura me të gjitha paramentrat e sigurisë rrugore, sinjalistikat horizontale e vertikale, si dhe tabelat orientuese.

Mirembajtja e tyre do të jetë sfidë më vete, veçanërisht nga dëmtimet e vetë drejtuesve të automjeteve, siç ndodhi që në ditën e inagurimit, ku një makine u përplas me një nga tabelat e reja, duke e hedhur në tokë.

Tv Klan