Ai është një nga deputetët më të rinj në Parlamentin e Shqipërisë. Bëhet fjalë për deputetin e Vlorës, Agron Shehaj, i cili ishte sonte i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan ku foli edhe për aktualitetin politik.

Deputeti tha se nuk është kundër ndërtimit të Unazës, por cilëson si skandal shifrën 40 milionë Euro për të ndërtuar 2 kilometra rrugë. Sipas tij, edhe protestuesit të cilëve do t’iu shemben shtëpitë, nuk janë kundër ndërtimit të Unazës së Re, por kërkojnë të dëmshpërblehen.

“Nuk besoj se ka në Shqipëri njerëz që janë kundër ndërtimit të Unazës. Edhe vetë protestuesit nuk janë kundër, ata janë kundër faktit që nuk do të dëmshpërblehen dhe kundër çmimit të ndërtimit të Unazës.

Gjërat nuk janë të qarta dhe përderisa banorët janë aty ku janë do të thotë që nuk janë të qartë. Unë jam për ndërtimin e Unazës, skandali qëndron tek pjesa që 2 kilometra e ca rrugë do të kushtojë 40 milionë Euro. Unë mendoj se 40 milionë euro janë jashtëzakonisht shumë për 2 kilometra rrugë. Një nga kompanitë që ka fituar tenderin nuk dihet se kush është. Janë disa kompani dhe një prej tyre është offshore, kjo është e sigurt dhe nuk është hera e parë që ndodh.

Qeveria për t’i bërë këto gjen fuqi sepse populli shqiptar nuk reagon dhe nuk kanë besim, sidomos tek shqiptarët, mendojnë se nuk ia vlen. Dhe gjëja tjetër është se Rama ka pushtet mediatik. Ai vjedh dhe nuk e ka problem ta mbulojë në media. Me 40 milionë Euro mund të bëhet aeroporti në Vlorë, janë shumë, sidomos për një vend të varfër si Shqipëria”,

tha Shehaj.

/tvklan.al