Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku është shprehur se në zonën e Unazës së Re ku do të shemben shtëpitë në kuadër të projektit të ri, janë 139 familje që preken.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Mazniku sqaroi se nga 139 familje, 73 prej tyre kanë tituj pronësie dhe do të dëmshpërblehen sipas ligjit në fuqi. Ndërsa pjesa tjetër e këtyre familje janë pa tituj pronësie.

“Kemi të bëjmë me 139 familje, nga të cilat 73 kanë titull pronësie dhe pjesa tjetër nuk kanë titull pronësie”

, deklaroi Mazniku.

Duke komentuar protestën që vijon prej pothuajse 20 ditë, nënkryetari i Bashkisë tha se bëhet fjalë për dy kategori njerëzish.

“Kemi të bëjmë me një tentativë për të politizuar një situatë. Protestat janë shkak i politizimit dhe nuk janë tentativë për të zgjidhur një hall. Janë parë njerëz që nuk janë banorë të asaj zone. Kemi të bëjmë me dy kategori njerëzish. Që janë ose njerëz të angazhuar politikisht ose kemi të bëjmë me një grup njerëzish që janë profesionistë të ndërtimit pa leje në mënyrë masive që nga ky projekt do humbasin pronat që kanë ndërtuar 4, 5, 7, 9 ndërtime pa leje”

, theksoi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku.

/tvklan.al