Protesta e banorëve të Unazës se Madhe ka krijuar një debat të gjerë publik. Projekti i Unazës së Madhe për një zhvillim më të madh urbanistik përfshin prishjen e ndërtimeve në zonën e Astirit. Por, banorët e Unazës, shumë prej të cilëve jetojnë prej 20 vitesh, po iu shemben shtëpitë dhe bizneset, sipas tyre pa iu dëmshpërblyer me vlerën reale. 

Znj. Lindita Protoduari është një banore që jeton në zonën, banesa e të cilës përfshihet në projektin e Unazës së Madhe. Gati 25 vjet më parë, ajo erdhi nga Skrapari me familjen e saj dhe u vendosën në Tiranë.

Gazetarja: Prej sa vitesh jetoni në këtë zonë?

Lindita: Neve kemi ardhur nga Skrapari në vitin ’91 në Tiranë.

Gazetarja: Ku keni jetuar fillimisht?

Lindita: Tek godinat e shkollës së partisë.

Gazetarja: Sa vite keni jetuar atje?

Lindita: Atje kam jetuar prej 4 vitesh.

Gazetarja: Dhe më pas erdhët këtu në zonën e Unazës së Re apo jo? Në një godinë që ju e keni blerë?

Lindita: Po! Në shtëpinë që banojmë neve, pavarësisht se shtëpinë e kam blerë të ndërtuar, gjysmë të ndërtuar se i kam bërë punimet vetë pastaj. Kjo ka qenë zyra e perime-patateve, si godinë ka qenë ekzistuese. Personit që ia kemi blerë neve ka qenë me ligjin 7501, por nuk ka qenë pronat me certifikatë pronësie atë kohë, kanë qenë me vendim fakti. U interesuam dhe kjo shtëpi ekzistonte edhe në hipotekë, edhe jemi futur.

Gazetarja: Ekzistonte në hipotekë dhe si ishte e regjistruar asokohe?

Lindita: Kanë qenë zyrat e perim-patateve..

Gazetarja: Çfarë ka ndodhur në gjithë këto vite, e keni futur godinën në proces legalizimi?

Lindita: Unë jam me të gjitha dokumentet, jam me certifikatë pronësie, edhe tek biznesi, tek socialja edhe tek shtëpia. Nuk e kuptoj si i keqtrajton këta njerëz kështu, kur ne kemi 12 muaj që protestojmë dhe kërkojmë të drejtën tonë. Unë kam punuar natë edhe ditë për këtë shtëpi.

Gazetarja: Çfarë investimi keni bërë këtu?

Lindita: Unë kam 240 m katrorë shtëpi, kam dy çunat e mi. Shtetit i kam paguar për 30 vjet me radhë taksa kokër më kokër, nuk i kam ngelur sikur një gjë. Ne jemi të persekutuar dhe prapë po persekutohemi.

Zoti Flori, bashkëshorti i Linditës, i ftuar në studio, ka pretenduar se banesa është e legalizuar dhe e hipotekuar dhe kompensimi i bërë, sipas tij, është qesharak dhe i paparanueshëm.

Flori: Një kompesim qesharak. Me një tokë 40 mijë lekë metri të vjetra në mes të Tiranës. 535 mijë lekë shpronësimi i banesës, që ma gjej ti një shtëpi me 535 mijë lekë dhe ta blej që nesër, se iki dhe ja jap shtetit. Më absurdia është sepse nuk më është shpronësuar biznesi, me pretendimin që unë nuk kam lejuar ARRSH të vijë të bëjë matjet. Kam 22 vite që punoj aty, natë-ditë. Kur vlera e pronës aty dihet sa ka vajtur. Shtëpi më pak se 700 Euro nuk gjen dhe shtëpi sorogato dhe për mua nuk mjafton.

I pyetur për vlerën e kompesuar, Flori shprehet se është kompesuar me 134 milion Lekë të vjetra./tvklan.al