“Rina Grill” është një restorant me kuzhinë shqiptare në Luzern të Zvicrës.
Pronari Naser Hajrizaj nga Mitrovica e Kosovës, prej 34 vitesh jeton në Zvicër, ndërsa 6 vitet e fundit ka hapur restorantin e tij.
Për emisionin Opinion në Tv Klan, ai tregon se i ka vendosur restorantit emrin e vajzës.
“Vij nga Mitrovica. Prej 34 vitesh jetojmë në Zvicër. Kemi qenë ushtarë të Jugosllavisë dhe kemi ikur. Jam marrë vetëm me gastronomi. Në fillim merresha me kulinari zvicerane, kam bërë shkollë, por nuk më dhanë diploma se isha refugjat, vetëm certifikatë. Nuk kam pasur qejf të hap restorant, por kam punuar me diskotekën rinora shqiptare, 25 vite kam shitur hamburger shqiptar. Kam patur vetëm një fast-food aty, asgjë tjetër me diskotekën. Prej 6 vitesh është i hapur restoranti. Rina ja kam vënë emrin se vajza e madhe ka emrin Rina. Klientelën më shumë e kemi shqiptare.
Në menu 90% kemi kuzhinë shqiptare, me byrek, fli, speca turshi, fasule, vetëm peshk nuk kemi. Peshkun nuk di ta bëj. Kemi dhe peskavicën e mbushur. Punojmë më shumë me sezone. Restoranti ka 100 vende brenda, 120 në tarracë. Për momentin kemi menunë e Ramazanit, jemi të mbushur çdo mbrëmje.
Unë gatuaj mishrat, gruaja merret me brumërat. Kemi dhe klientë zviceranë. Të huajt i pëlqejnë të gjitha, sidomos mishrat, fasulet, specat e mbushura, lakrat”, tregon Naser Hajrizaj.
/tvklan.al