Regjistrimi: drejtuesja e ZA Fier pranon shkeljet në shkollën “Janaq Kilica”

Stafi pedagogjik i shkollës “Janaq Kilica” në Fier protestoi pranë ZA-së së Fierit dhe në fund të Dhjetorit u mbajt një mbledhje me të gjithë protagonistët.

Në materialin audio transmetuar në “Stop” dëgjohen qartë ankesat dhe pakënaqësitë e mësuesve për indoktrinimin politik nga ana e drejtoreshës Fuli dhe kërcënimet e saj me vendin e punës.

Vetë drejtoresha e ZA-së, Yllka Beci, pranon shkeljet e zonjës Fuli, të cilës i kërkon të heqë dorë nga reformimi dhe reduktimi i nxënësve dhe mësuesve.

Megjithë shkeljet dhe abuzimet flagrante ZA Fier dhe MAS nuk kanë marrë parasysh peticionin e stafit pedagogjik të gjimnazit “Janaq Kilica” për shkarkimin e drejtoreshës problematike Fereniqi Fuli.

Mësuesja 1 “Janaq  Kilica” –  As drejtoresha e shkollës nuk ka komunikim me kolektivin. Ta themi troç, jo t’i biem anash e anash. Mos më bëj një nënqeshje të tillë, se që ditën e parë, që keni ardhur në shkollë, nuk keni pranuar as të mblidhni kolektivin të diskutoni. Asnjëherë s’e keni mbledhur kolektivin dhe të diskutojmë problemet, që ka shkolla dhe mos e bëj atë nënqeshje, se qëkur keni ardhur ju, kanë ndodhur një varg me probleme në shkollën tonë, qëkur keni ardhur ju drejtoresha. Të vjen mirë, s’të vjen mirë, ja po ta them unë dhe gjithë ato protesta dhe gjëra, që bënë nxënësit, ishin pikërisht reagimi, që kishin ata ndaj sjelljes dhe komunikimit. S’kemi patur ne ndonjëherë protesta të nxënësve, që shkonin nëpër spitale dhe hidhnin gaz. Qëkur erdhët ju, lindën gjithë këto probleme.

Drejtoresha “Janaq Kilica” – Mbarove? Jam ndjerë shumë e fyer….

Mësuesja 1 “Janaq  Kilica”– Dhe më fal një sekondë! Kam bërë dhe kërkesën-ankesë ndaj drejtoreshës dhe sot e kësaj dite nuk kam marrë përgjigje. Që në  janar e kam bërë kërkesën dhe nuk kam marrë përgjigje. Jam ankuar, pse s’më keni kthyer përgjigje? As ju e as ZA dhe unë do shkoj më lart dhe do ta çoj ankesën time deri lart.

Mësuesja 2 “Janaq  Kilica” –Kjo, që thotë, është e vërtetë. Të njëjtën gjë e kam përjetuar vetë. Në rastin, kur ndodhi, unë kam qenë deri në 16.30 në spital. Ditën  tjetër, në vend që të më thuhej faleminderit, që ishe me nxënësit, faleminderit që më mbështete me to, jam thirrur në drejtori vetëm për një pyetje, ku ishte dëshmitar tërë stafi, vetëm se kam pyetur “ çfarë ndodhi”. Më kanë thirrur në drejtori, më është thënë, që nuk kam për të ta falur, ke dalë kundra meje, ke dalë kundra partisë. Unë punoj në një institucion të depolitizuar. Unë nuk e njoh kush është partia, unë këtu punoj në një institucion arsimor, mbaj titullin “mësues”. Nëse në këtë institucion ka ankesë nga kolegët e mi, nga nxënësit, apo ku di unë, e le çelësin sot dhe iki nga puna. Ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë leje, se shpërfillemi. Ne jemi skllave dhe këto janë pronarë? Nuk e kuptoj dot. Unë kam ardhur në drejtorinë arsimore, kam marrë përgjigje, më është kërkuar dhe falje, më është komunikuar, kanë  gjetur një frymë  miqësore. Hera e fundit, që kam qenë, është dhënë me urdhër: të dashur kolegë, që hapni klasat! Në klasën time mungonin objekte. Kam shkuar në drejtori dhe nuk e kam gjetur zgjidhjen dhe nuk është vetëm në klasë. Unë e lë çantën në personel, çantën në personel ne nuk e lemë dot dhe nuk është marrë asnjë masë…çfarë jemi ne?! Më është vjedhur te portofoli. Vidhet portofoli, nuk mbaj përgjegjësi, vidhen objektet në klasë, nuk mbaj përgjegjësi…Objektet e një klase, blihen me lekët e fëmijëve, një nga prindërit e fëmijëve më kërkon mua llogari; ku shkuan këto? Përtej kësaj, se janë çështje, që ne mund t’i zgjidhim, ose nuk mund t’i zgjidhim. Por një komunikim me dashamirësi. Unë jam 30 vjeç, ju jeni më e madhe. Duhet të më flisni dhe nëse unë gaboj, po jo t’më tregoni, që nuk kam për ta falur kurrë dhe mësuesi të ndjehet i kërcënuar, se e fluturon nga puna…

Drejtoresha  e ZA Fier, Yllka Beci- Ne sot.., sot kam ardhur këtu, për t’ju përcjellë një mesazh ëë…jeni institucioni më i vlerësuar,  jo më i rëndësishëm, se për nga rëndësia dhe shkolla, që ka 4 maturantë sot, rëndësinë e ka njësoj si ju. Por për nga madhësia dhe nga vlerat, që ka nxjerrë “Janaq Kilica” ndër vite, që në krijimin e vet deri më sot, jeni ju ata. Nuk i ka bërë Yllka Beci, as zonja Fuli nxënësit, që kanë marrë medalje ari në të gjithë botën. Nxënësit, që  kanë përfaqësuar “Janaq   Kilicën” me formate nga më pozitivet, i keni bërë ju, jeni ju. 45 minuta qëndroni ju, nuk qëndroj unë. Kështu që vlerat e gjithë nxënësve tuaj ju përkasin juve. Ne na përkasin ca vlera menaxheriale. Po ditëm të menaxhojmë situatat me kujdes, me  ligjshmëri,  me zgjidhje, jemi të suksesshëm. Po s’ditëm, marrim atë benefitin tjetër negativ, a ku di unë, se çfarë. E mbyll këtë mbledhje dhe njëherë thashë, duke gjetur mirëkuptimin tuaj dhe duke ju premtuar, që do të takohemi përsëri  mbas datës 18. Me zonjën Fuli do të ulem menjëherë mbas datës 18, nëse  Fereniqi, këtu drejton shkollën si Fereniqi, është shumë gabim. Bën shumë gabim, bën shumë gabim dhe po e ngre zërin fort. Këtu ajo është drejtore dhe drejton, siç ka drejtuar deri tani me raportimet, që më ka bërë mua. Po që kurrë nuk ishim ballafaquar me këto pretendime, të cilat përcollët ju, që mua më duhet t’i vërtetoj bashkë me drejtorinë rajonale..

Deri në këto momente që ne po flasim, kërkesat e stafit pedagogjik të stafit “Janaq Kilica” janë plotësuar pjesërisht, është anuluar vetëm reformimi i këtij gjimnazi dhe nuk është marrë në konsideratë kërkesa tjetër e stafit pedagogjik, i cili kërkon dorëheqjen e drejtoreshës Fereniqi Fuli.

Parashqevi Nikolla: Atëherë po i drejtohemi emisionit “Stop”, ne si kolektiv i shkollës “Janaq Kilica” kemi dërguar letër tek zyra e DPAP, tek Besa Shahini dhe tek kryeministri Edi Rama dhe akoma kolektivi i shkollës nuk ka marrë një përgjigje se si do të jetë ecuria e mëtejshme e kësaj shkolle. Duke pra gjithë problematikat që kanë dalë në këtë shkollë që nga muaji dhjetor e deri në këtë moment që ne flasim bashkë, kolektivi kërkon largimin e kësaj drejtoreshe. E shikon si të paaftë për të drejtuar një institucion të tillë. /tvklan.al