Histori me zhurmues – Historia e tij është tejet e trishtë. Bëhet fjalë për Fiqiri Muhon, i cili në vitin 1957 ishte i apasionuar pas teatrit, por që përfundoi si punëtor krahu, apo siç quhej ndryshe në atë kohë hamall.

Muho ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço nga ku rrëfeu historinë e tij.

“Famila ime ka qenë pro luftës Nacional Çlirimtare dhe ka qenë e lidhur me një nga bazat më me rëndësi. Unë vazhdova shkollën me bursë në të parën industriale që u hap, ish-shkolla e partisë. Por unë kisha shumë pasion artin dhe studioja shumë pak, tek treshi mezi arrija. Unë shkruaja emrin tim nëpër mure, në dërrasë të zezë dhe gjithandej. Vjen një profesor dhe më pyet: Përse e shkruan emrin nëpër mure? E di si thotë populli më tha? Emri gomar gjendet kudo.

Dhe unë ia ktheva: Pse shoku Enver gomar është që gjendet kudo?

Ai u zverdh dhe më tha: Shokut Enver ia shkruajnë të tjerët nuk e shkruan vetë.

Dikush në shkollë kishte shkruajtur poshtë Partia Komuniste, këtë nuk e kisha bërë unë. Por 2-3 muaj pas kësaj mua më përjashtuan nga shkolla pa verifikuar shkrimin. Unë sërish hyra në punë në profesion, më pas mbarova shkollën e marinës. Më pas shkova ushtar. Në ’55 u bë festivali i ushtrisë dhe unë u shpalla aktori më i mirë. Më 1959 Qerim Vlashi më mori tek estrada e portit dhe më pas formoi estradën e Durrësit. Ne bëmë provat gjenerale, por unë u sëmura për 2-3 muaj dhe pak muaj më vonë u arrestova për akuzat si “tradhti ndaj atdheut”, “agjitacion dhe propagandë” dhe u cilësova si njeri i rrezikshëm. Më dënuan me 25 vite burg nga të cilat bëra rreth 15 vite. Për gjërat që po ndodhnin në atë sistem unë isha i pakënaqur sepse ndaloheshin të gjitha. Më pas na nxorrën dhe bëmë ato pallatet te “Shqipëria Sot”, bëmë “Senatoriumin”, “Kombinatin e mishit”, Aeroportin dhe shumë të tjera. Në burg haje dajak nëse nuk bëje normën. Kur dola nga burgu fillova një punë tek 21-shi dhe na paguanin çdo ditë jo më shumë se 2 mijë lekë pavarësisht se mund të punonim mbi orar. Një ditë i them punëtorëve pse nuk ankoheni për pagën, në atë moment vjen përgjegjësi dhe më thotë: Unë t’i lidh duart dhe të çoj atje ku ke qenë.

Unë u revoltova dhe ia ktheva: Atje nuk shkoj më pa marrë një kokë si kjo e jotja”,tregoi Muho.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv