Pas 1 muaji hulumtimi nga ana e emisionit “Uniko” për çështjen e zhdukjes së Riku Beut, dhe agonisë së tejzgjatur të familjarëve të 35-vjeçarit, është zbuluar se kujt i përket trupi i pajetë i gjetur në Maqedoninë e Veriut.

Familja e 35-vjeçarit nga fshati Kryevidh i Kavajës, është sinjalizuar se trupi i pajetë që u gjet i groposur në periferi të Shkupit, i përket djalit të tyre, Riku Beut.

Autoritetet shtetërore në Shkup kanë kryer të gjitha verifikimet, në bashkëpunim edhe me homologët shqiptarë. Analiza e ADN-së dhe materiali gjenetik i marrë nga trupi i pajetë, rezulton se përputhet me shenjat e gishtave të Riku Beut. Kujtojmë këtu se policia shqiptare, por dhe ajo maqedonase, e kanë pasur të skeduar 35-vjeçarin Riku Beu dhe dispononin gjurmë të gishtave të tij.

Një punonjës i Policisë së Shtetit trokiti në banesën e familjes Beu në fshatin Kryevidh të Kavajës rreth 5 ditë më parë. Ai u dha lajmin e hidhur se djali i tyre, që rezultonte i zhdukur prej datës 7 Mars 2020, është vrarë. Krahasimi i ADN-së në trupin që u gjet i groposur në Shkup, përputhet me shenjat e gishtave të Riku Beut.