Edmond Koçi, i njohur ndryshe edhe si Mond Çekiçi, u ekzekutua në një atentat të mirëorganizuar mëngjesin e ditës së shtunë në Durrës. Ishte ora 08:40 e datës 20 Mars 2021, kur makinës së Mond Çekiçit iu zu rruga nga një tjetër automjet në lagjen Nr.16 të qytetit bregdetar.

Ishte një automjet “Mercedes S Class” ngjyrë e zezë që qëndronte në krah të makinës “Mercedes ML” të Edmond Koçit. Ky i fundit ishte ulur në sediljen e pasagjerit në vend të parë.

Autorët nxorrën armët dhe filluan të qëllonin me breshëri në drejtim të 43-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend. Ndaj tij u derdhën plot 37 plumba kallashnikovi. Ndërsa shoferi i Çekiçit u largua me vrap sapo pa armët në duart e vrasësve. Ai shpëtoi dhe nuk pësoi asnjë lëndim. Në dëshminë e dhënë në polici, shoferi i Emond Koçit tregoi dinamikën, por u shpreh se vrasësit nuk i identifikon dot për shkak se mbanin maska.

Pas ekzekutimit, në zonën e Sukthit u gjet Mercedesi S Class i përdorur nga vrasësit. Kur hetuesit mbërritën aty, automjetit ishte në flakë, ndërsa të dyshuarit ishin larguar në drejtim të paditur. Brenda makinës së autorëve u gjet një automatik AK 47, ndërsa targat e mjetit rezultuan se ishin të vjedhura në Tiranë.

Nga dinamika e vrasjes dhe mënyra e ekzekutimit, hetuesit dyshojnë se ekzekutorët janë profesionistë. Policia dhe Prokuroria vijojnë punën me hetimet në disa pista për të identifikuar vrasësit, por dhe porositësit. 20 persona u shoqëruan pas ngjarjes, por u lanë të lirë pasi nuk dhanë asnjë informacion të vlefshëm.

Viktima Edmond Koçi ose Mond Çekiçi ka qenë anëtar i bandës së Durrësit, njeri i afërt i Lul Berishës dhe mik i ish-kunatit të këtij të fundit. Ai ishte person me precedent të mëparshëm penal. 43-vjeçari ishte arrestuar 1 vit më parë për armëmbajtje pa leje dhe më pas ishte lënë i lirë me argumentimin se ishte infektuar me Covid-19. Edhe në vitin 2009 ishte arrestuar dhe dënuar me 2 vite burgim për të njëjtën vepër penale. Ai konsiderohej nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri të lartë.

Për herë të parë zyrtarisht si i lidhur me bandën e Durrësit, emri i Edmond Koçit përmendet nga ish-anëtari i kësaj bande dhe i penduari përpara drejtësisë, që më pas mori dhe statusin e dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë, Adriatik (Dritan) Coli.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve ai e lidh emrin e Edmond Koçit me përgatitjen para vrasjes së Edi Ongarit ngjarje kjo e ndodhur në datën 5 Korrik 1999 në qytetin e Durrësit. Sipas dëshmisë së Colit, Mond Çekiçi kishte shërbyer si informator në vrasjen e Ed Ongarit. /tvklan.al