Trupi i një vajze shqiptare u gjet në shtratin e lumit Parmignola rreth orës 02:00 të mëngjesit këtë të dielë në Sarzara, në provincën e La Spezia në Itali.

Kufoma u gjet nga disa turistë pak orë pas ngjarjes.

Ajo ishte gjysmë e zhveshur dhe dyshimet e para të shprehura nga autoritet italiane janë se ajo mund të ketë qenë një  punonjëse seksi në zonën pranë vendit të ngjarjes.

Autoritetet policore italiane e kane identifikuar viktimën si Nevila Pjetri 35 vjeç lindur në Elbasan dhe rezidente në Itali në Massa Carrara.

Nga kqyrja paraprake e trupit janë konstatuar hematoma të shumta çka ngre dyshimet se ajo mund të jetë vrarë fillimisht dhe më pas është qëlluar me plumb në kokë.

Mediat italiane duke iu referuar policisë italiane ngrenë dyshimet se vrasja mund të ketë ndodhur diku tjetër dhe më pas trupi i 35-vjeçares është hedhur në vendin ku u gjet.

Karabinierët arritën të  gjenin edhe makinën e viktimës të parkuar jo shumë larg vendit ku u gjet e vrarë.

Autoritetet mësohet se po ashtu po kërkojnë automjetin tek i cili ajo hipi gjatë orëve të vona të natës. Sipas dëshmitarëve, që e kanë parë gjallë për herë të fundit Nevilën në orët e vona të së shtunës datë 4 Qershor 2022 është parë teksa hipte në një automjet të bardh që drejtohej nga një burrë.

Ndërkohë janë sekuestruar kamerat e sigurisë të një karburanti afër zonës për të ndihmuar në evidentimin e të dhënave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Nevila Pjetri ishte martuar para një viti me Leonard Markun nga Miloti dhe jetonin së bashku  në Altela, një fshat i vogël në Massa Carra.

Mediat italiane kanë shkruar se Leonard Marku e ka mësuar tragjedinë mëngjesin e së dielës kur në derë i trokitën karabinierët. Ditën e djeshme Leonard Marku ka qenë i rrethuar nga miq dhe të afërm dhe nuk i ka mbajtur dot lotët.

“Ajo doli nga shtëpia në orën 20:00. E prita gjithë mbrëmjen, nuk e kuptova pse nuk po kthehej. Më pas mbërritën karabinierët… E doja shumë”, mësohet të jetë shprehur shqiptari.

Vetë Marku punonte si kopshtar në një kamping përgjatë bregdetit.

Nevila Pjetri kishte dëmtime në fytyrë, gërvishtje në krahë, ishte gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar në gjak. Por vrasësi ishte siguruar që të mos linte asgjë gjurmë në vendin e krimit. Deri më tani nuk ka asnjë shenjë që ajo të jetë përpjekur të mbrohej. As rrobat e humbura të saj, çanta e dorës apo dokumentet e viktimës nuk janë gjetur.

Emisioni Uniko udhëtoi drejt Elbasanit për të mësuar më shumë rreth Nevilës dhe të afërmve të saj.

Banorët e lagjes “Vullnetari” na treguan për jetën e vështirë që kishte patur Nevila dhe familja e saj në Elbasan dhe kushtet e vështira ekonomike.

Më datën 19 Janar kishte qenë në Shqipëri për herë të fundit me bashkëshortit për varrimin e nënës.

Një nga banorët e zonës na u shpreh se e Nevila ishte fëmija i pestë i Shahinit dhe Fiqeretes, 3 djem dhe 2 vajza dhe ishte pothuajse e vetmja që përkujdesej për të ëmën dhe dërgonte çdo muaj të ardhura për t’i siguruar asaj kushtet e nevojshme për ilaçe dhe për pagesën e një gruaje që përkujdesej për të.

“Por rrugës për të vajtur tek banesa e dy prej vëllezërve të Nevilës ndeshëm me kunatën që po kthehej nga burgu i Peqinit ku ishte takuar vëllain e Nevilës dhe nuk kishte gjetur dot guximin t’i tregonte se çfarë i kishte ndodhur të motrës”, raporton gazetari Spartak Koka.

Vëllai tjetër i Nevilës ishte shumë i tronditur nga ngjarja dhe e kishte të pamundur të fliste.

I kontaktuar nga emisioni Uniko në Klan Plus, Leonard Marku, bashkëshorti i Nevilës, shprehet i tronditur nga ngjarja.

“Nuk di ç’a të të them, për mua jeta ime ka marrë fund këtu. Nuk arrij dot ta pranoj që ajo nuk është më. Unë një vit kam që jam martuar me të. Ajo ka 15 vite që jetonte në Itali. Unë jam munduar vetëm ta ndihmoj dhe letrat unë ia kam bërë. Ne ishim martuar në komunë. Letrat që ia bëra nuk arriti dot t’i gëzonte. Unë do të bëj gjithçka për ta gjetur se çfarë i ka ndodhur”, thotë Leonard Marku.

Leonardi përshkruan ditën e fundit të Nevilës gjallë dhe momentin që ajo doli nga shtëpia dhe nuk u kthye më.

“Unë isha në shtëpi me gjithë gocën time që e kam nga martesa e parë. Ajo, nga ora 7:30, më tha po dal të pi një kafe me një shok italian. Puthi gocën dhe iku. Unë ndenja me babain tim dhe gocën në shtëpi se kam prurë babain këtu se ka sëmundje të keqe. Edhe nuk u kthye më. Ajo më ka thënë se punonte në kampegje, këto si varka domethënë, por unë nuk kam qenë ndonjëherë. Ajo ikte gjithmonë vetëm. Unë jam i rregullt këtu prej 15 vitesh. I kam thënë dhe shtetit që më kanë në gadishmëri për çdo gjë”, shprehet ai.

A tentoi Leonardi ta kontaktonte dhe të pyeste përse po vonohej?

“Mua më kishte marrë gjumi, se ajo atë natë do të flinte me gocën se të shtunë dhe të dielë goca ime e ka pushim nga shkolla dhe flinin bashkë. Kur u zgjova e pashë që nuk është në shtëpi dhe direkt provova të komunikoj me telefon por ajo e kishte të fikur. Në momentin që unë desha të shkoj në polici dhe të bëja denoncim për humbjen, erdhi vetë policia tek unë. Në përfundim të hetimeve dhe autopsisë unë do të bëj të pamundurën që ta sjellë dhe ta varros në Shqipëri afër nënës së saj”, deklaron Leonardo Marku.

Hetimet nga ana e autoriteteve italiane vijojnë për të zbardhur se kush ia mori jetën Nevilës dhe çfarë ndodhi me të mesnatën e 5 Qershorit. /tvklan.al