Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus intervistoi Aleksandër Muratajn, një nga të dyshuarit e përfshirë në grabitjen e rrugës së Rinasit. Dëshmi, detaje, prova dhe pamje filmike të papublikuara më parë rreth grabitjeve të parave të bankave të nivelit të dytë në Rinas.

Për herë të parë u rrëfye vëllai i Admir Muratajt, organizatorit kryesor të dyshuar të të paktën 4 grabitjeve të bujshme. Aleksandër Murataj, nga burgu 313 ku ndodhet aktualisht si i akuzuar dhe i dënuar me 24 vite burg si i dyshuar për përfshirje në grabitjen e 9 Shkurtit 2017, rrëfen për herë të parë njohjen e tij dhe të vëllait të tij me Klement Çalën (i arrestuar më 19 Mars 2020) si dhe për anëtarët e tjerë të arrestuar tashmë nga drejtësia.

Aleksandër Murataj është fiksuar nga kamerat e sigurisë të sekuestruara nga policia 40 minuta pas grabitjes së vitit 2017 në banesën e të vëllait Admirit. Përse ndodhej ai aty? Çfarë dijenie ka ai për grabitjet? Mbi çfarë provash dhe faktesh pretendon ai se është i pafajshëm? Ku u zhduk “Peugeot partner”, automjeti që përmendet në dy grabitjet, ajo e Shkurtit 2015 dhe Shkurt 2017?

Në pjesën e dytë do të jetë i ftuar gazetari i kronikës Eni Ferhati, i cili do të sjellë pamje ekskluzive të “bankierit” të grabitjeve të Rinasit. Kush është ky personazh dhe përse nuk u arrit të kapej nga 2017 deri në 2019? Kush janë policët që dyshohet se e ndihmuan? Një foto e Klement Çalës në banesën e Admir Muratajt është një tjetër material që gazetar Ferhati ka siguruar nga dosja hetimore e grabitjeve. /klanplus

SHIKO EDHE: Kush “i tradhetoi” grabitesit e Rinasit? (Linku: https://bit.ly/2UScnR1 )