Emisioni Uniko trajtoi një problematikë që vijon prej vitesh në një familje në Fushë – Krujë. Rolanda Paturri 38 vjeç, nënë e 3 fëmijëve, është divorcuar nga bashkëshorti pas konflikteve të vazhdueshme që kishin me njëri-tjetrin. Problemet mes çiftit kanë filluar në vitin e largët 2000, kur nga të dyja palët kishte akuza të ndërsjellta për bashkëjetesë paralele me persona të tjerë.

Por pavarësisht xhelozirave dhe pretendimeve për tradhti që nisën menjëherë sapo çifti u celebrua në martesë, lidhja e tyre zgjati shumë vite dhe sollën në jetë 3 fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Por pas ardhjes në jetë të 3 fëmijëve, çifti vendosi përfundimisht të divorcohej. Ish-bashkëshorti i Rolandës është martuar sërish me një grua tjetër dhe jeton jashtë Shqipërisë. Ndërsa Rolanda Paturri jeton në banesën 1-katëshe në fshatin Arrameras të Fushë-Krujës, që është ndërtuar nga ish-vjehrri i saj në truallin në pronësi të tij.

38-vjeçarja është në proces gjyqësor me ish-vjehrrin, pasi ky i fundit e ka paditur dhe kërkon kthimin e truallit. Emisioni Uniko ka intervistuar Rolanda Paturrin, e cila shpreh pretendimet e saj dhe problematikën që ka. Nga ana tjetër, ne kemi biseduar edhe me ish-vjehrrin e saj, z.Muharrem Kallmeti.

Në shtëpinë 1-katëshe Rolanda jeton me djalin e saj të vogël. Vajza e madhe e Rolandës është e martuar dhe nuk jeton aty. Ndërsa vajza tjetër 16-vjeçare banon në të njëjtën shtëpi, por nuk ka marrëdhënie të mira me nënën. Rolanda pretendon se vajzën ia ka kthyer kundër ish-vjehrri. Sipas saj, e bija shoqërohet edhe me një bashkëmoshatare për të cilën thotë se nuk ka sjellje të mirë. Për këtë arsye, Rolanda Paturri është larguar nga banesa prej disa javësh dhe jeton në shtëpinë e mikeshës së saj.

Ajo kthehet në banesë vetëm për të takuar djalin e vogël, i cili qëndron në shtëpinë 1-katëshe dhe ndihmohet nga gjyshërit, të cilët banojnë aty pranë.

Nga ana tjetër, familja e ish-burrit ka shprehur pakënaqësi për sjelljen e ish-bashkëshortes së djalit të tyre. Vjehrri, z.Muharrem Kallmeti, tregon se konfliktet mes Rolandës dhe djalit të tij nisën menjëherë pas martesës së tyre. Ai thotë se 38-vjeçarja bënte sjellje të pahijshme dhe ka pretendime për tradhti bashkëshortore nga ana e ish-nuses së djalit. Sipas z.Muharrem, vite më parë, Rolanda zhdukej nga banesa për ditë të tëra duke lënë fëmijët në shtëpi. Madje, ai thotë se këto fenomene të cilat i konsideron të pahijshme, vijojnë edhe ditët e sotme që çifti është i divorcuar, kur në shtëpinë ku qëndron Rolanda, vijnë makina dhe persona të panjohur.

Në intervistën e saj Rolanda i mohon të gjitha këto pretendime. Sot që çifti është divorcuar, ish-vjehrri kërkon t’i kthehet pas prona dhe trualli i tij ku banon nusja e ish-djalit. z.Muharrem shprehet se këtë çështje ia ka lënë drejtësisë dhe Rolanda të marrë pjesën që i takon dhe të largohet nga trualli që i përket familjes së tij.

Në këtë histori përfshihet edhe vajza 16-vjeçare e Rolandës, që sikurse e përmendëm më lart, nuk ka marrëdhënie të mirë me nënën e saj. Për të kujdesen gjyshërit.

Pra, panorama është e qartë. Nga njëra anë është një nënë 38-vjeçare e divorcuar që kërkon pjesën e shtëpisë që i takon për të jetuar. Dhe nga ana tjetër janë të gjithë kundër saj, vajza 16-vjeçare dhe familja e ish-bashkëshortit që e akuzojnë dhe kanë pretendime për sjellje të pahijshme dhe imorale nga Rolanda Paturri. Por sot ata kërkojnë që ajo të largohet nga prona e tyre dhe këtë çështje ta zgjidhë drejtësia.