“Audacter calumniare, sempre aliquid haeret” – Shpifni pa drojë, diçka gjithmonë do të mbetet

E nisur si një lojë psikologjike, e zhvilluar më pas si një intrigë dashurie, e shtyrë më tutje si një kërcënim mes magjistratëve dhe e hetuar si një sajesë, është gjithë sa ka ndodhur në një periudhë më shumë se 1 mujore në Gjykatën dhe Prokurorinë e Tiranës.

Një histori plot drama, komedi dhe shpërthime të denja për një shfaqje teatrale të shekullit të 19, është luajtur në ditët e sotme mes gjyqtarëve e prokurorëve të sistemit të ri të drejtësisë në Shqipëri. Protagonistë nuk kanë munguar të bëhen dhe ish-gjyqtarë, kancelarë në detyrë, drejtues të Këshillit të Lartë Gjyqësor, prokurorë të SPAK e gjyqtarë të GJKKO. Nuk kanë munguar në këtë shfaqje as Ministri i Brendshëm, apo Drejtori i Policisë së Tiranës.

Një mpleksje shumë dimensionale.

Në fillim të muajit janar, një informacion se një prokuror në detyrë, një ish-gjyqtar dhe një gjyqtare tjetër në detyrë, po hetoheshin nga SPAK dhe se për ta ishte prerë masa e arrestit me burg, i alarmoi ata dhe familjarët e tyre.

Dy prej emrave të përfolur ishin Prokurori i Tiranës Adriano Dyrmishi dhe ish-gjyqtari i dorëhequr në qershor të vitit 2023, Arben Mickaj. Përhapja me guxim e këtij thashethemi filloi të ngjiste, pasi po përmendeshin periudha, emra e data. Thuhej se hetimi ishte prej 8 muajsh, prokuror i çështjes ishte Klodian Braho dhe gjyqtare Flojera Davidhi.

Në një llogaritje thuajse cinike, shpërndarësi i këtij informacioni e dinte që asgjë nuk ishte e vërtetë dhe se nuk kishte asnjë provë, por e dinte shumë mirë se do të ngjiste.

Alarmi për një arrestim të mundshëm ishte përzier me ndërhyrjen e supozuar të shpërndarësit të informacionit tek kryetarja e KLGJ, e cila njihte gjyqtaren dhe falë kësaj ndërhyrje, ishte frenuar dhe parandaluar arrestimi dhe kontrolli i banesave.

Në këtë pushtet të krijuar pa mund, njeriu mund ta përdorë armën e thashethemeve thuajse i sigurt se do të godasë gjithmonë në shenjestër dhe pa i ndyrë duart.

Ky informacion po shpërndahej nga disa burime në mënyrë që të bëhej i besueshëm.

Të shqetësuar dhe të alarmuar për një arrestim të mundshëm, shenjestrat e këtij narracioni filluan të interesohen.

Prokurori Adriano Dyrmishi njofton eperorin e tij, drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela, se pritej ta arrestonin për një gjë që as ai vetë nuk e dinte se kishte bërë. Duke i rrëfyer se këtë informacion e kishte marrë nga ish-gjyqtari Mickaj dhe për të cilën ishte në dijeni dhe miku i tij, kancelari Donald Xhelili.

Në një alarm të tillë dhe mes pasigurisë së informacionit dhe dyshimeve për thashethem, informojnë prokurorin e SPAK, Klodian Braho, që përmendej si hetues i kësaj dosje. Ky i fundit i informon se fjalët e përhapura janë krejtësisht të pasakta dhe të papërligjura. Në këtë moment situata eskalon dhe protagonistët që ishin në vorbullën e mbrojtjes pa akuzë, hidhen në sulm.

Prokurori Dyrmishi telefon kancelarin Donald Xhelili, e kërcënon atë për gjithë sa ishte krijuar dhe akuzonte mes të tjerash në këtë telefonatë dhe gjyqtaren Arnisa Këlliçi, si të bashkë implikuar në këtë histori.

Kërcënimi me vrasje dhe fyerje në adresim dhe të gjyqtares, i ishte përcjellë asaj menjëherë nga kancelari. Këtu historia merr një tjetër kthesë. Gjyqtarja i shkruan të nesërmen prokurorit dhe i kërkon ballafaqim.

Të nesërmen, me ndërmjetësimin e ish-gjyqtarit Artan Gjermeni, prokurori shkon në zyrën e Arnisa Këlliçit dhe i kërkon ndjesë përsa kishte deklaruar, duke u justifikuar me gjendjen e pretenduar të dehur dhe ankthin që i ishte shkaktuar në familje.

Por kur dukej se gjithçka ishte sqaruar dhe palët ishin paqëtuar, me datën 20 janar, gjyqtarja Arnisa Këlliçi pretendon se kishte gjetur në zyrën e saj një letër kërcënuese, ku shkruhej: “E dashur gjyqtare Arnisa Këlliçi. Keni dy fëmijë, mendoni për ta, se mund të rroni ju dhe jo ata, e kjo është e rëndë. Me respekt”.

Për këtë kërcënim ndaj saj, alarmohen të gjitha institucionet e sigurisë dhe Ministri i Brendshëm urdhëron Drejtorinë e Policisë së Tiranës që të marrë në mbrojtje, pa humbur kohë, gjyqtaren Këlliçi.

Pa u mbushur 3 javë nga kallëzimi, Prokuroria e Tiranës doli në një njoftim, ku deklaronte se letra kërcënuese ishte shkruar nga vetë gjyqtarja Arnisa Këlliçi dhe se gjithçka ishte një sajesë e saj.

Në të njëjtin njoftim, Prokuroria deklaronte se e kishte marrë si të pandehur për dy vepra; kallëzim i rremë dhe falsifikim i dokumenteve. Menjëherë KLGJ vendosi pezullimin nga detyra të gjyqtares.

Nga ana e Prokurorisë Tiranë u bë shpallja e moskompetencës dhe kalimi i akteve pranë Prokurorisë Durrës, për ndjekje të mëtejshme.

Me këtë zhvillim të ri befasues, një tjetër histori rreth këtyre personazheve u publikua në media…

Për më shumë ndiqni emisionin.