Uniko – “Ju lutem më tregoni si ndodhi”, goditja fatale që i mori jetën Reldit

Uniko – “Ju lutem më tregoni si ndodhi”, goditja fatale që i mori jetën Reldit

21:59 20/04/2020

Vdekja tragjike e një 23-vjeçari mesditën e së shtunës së 11 Prillit, është ende pa një përgjigje për prindërit dhe të afërmit e viktimës.

Reldi Guga, student, kishte dalë nga shtëpia me biçikletë rreth orës 10:30 për të bërë blerjen dhe furnizimet për fundjavën duke u pajisur me autorizim sipas procedurave ligjore në fuqi.

Si zakonisht ai i drejtohet ish-Tregut Dinamo, aty ku si zakonisht blinte produktet e bulmetit dhe fruta – perimet.

Rreth orës 11:00, pasi përfundon pazarin, me qesen e ushqimeve në njërën dorë dhe biçikletën në dorën tjetër niset për t’u kthyer në shtëpi.

Por pa bërë as 10 metra në tentativë për të kaluar nga njëri trotuar në tjetrin të rrugës “Isuf Beqiri”, rrugë që lidhet me Unazën e Tiranës për të të nxjerrë tek ish – restorant Durrësi. Reldi e gjen veten poshtë gomave të  bylykut të një kamioni të një firme ndërtimi që po largohej nga një kantier ndërtimi aty pranë.

Reldi pëson dëmtime të mëdha, qytetarët e shumtë në zonë tentojnë t’i japin ndihmën e parë, duke u përpjekur  në mënyrë rrethanore për t’i ndaluar gjakderdhjen deri sa ndihma e specializuar të mbërrinte.

Brenda pak minutash, në vendngjarje mbërrin një autoambulancë dhe mjekët tentojnë t’i japin ndihmën e parë gjatë rrugës për në drejtim të Spitalit të Traumës.

Reldi reagon me vështirësi por ka ende shenja jetë, ç’ka rrit shpresën tek doktorët e Spitalit të Traumës se mund ta shpëtojnë. Mjekët e fusin menjëherë në sallën e reanimacionit. Gjatë kohës që doktorët po bëjnë gjithçka është e mundur për të shpëtuar Reldin, një prej tregtarëve të zonës informon prindërit se Reldi ishte përfshirë në aksident.

Me një motorr që e kishin në oborr, dy prindërit nisen drejt vendngjarjes. Sapo mbërrijnë atje, shohin biçikletën e Reldit në rrugë, ndërsa dy policë i informojnë se Reldi ishte transportuar në Spitalin e Traumës.

Pas 8 orësh përpjekje të mjekëve për ta shpëtuar, mjekët në orën 18:50 njoftojnë familjarët që po prisnin jashtë, se Reldi kishte ndërruar jetë.

Pasi e përcollën për në banesën e fundit njeriun e tyre të shtrejntë, familja e 23-vjeçarit kërkon të dijë të vërtetën pasi po përballen me shumë versione se si ka ndodhur ngjarja.

Shto këtu dhe faktin që megjithëse në zonë ka kamera sigurie, pretendohet  që asnjëra prej tyre në atë moment nuk ka funksionuar. Po kështu, megjithëse rrugica në fjalë ka qenë e mbipopulluar,  si dëshmitar është arritur të gjendet vetëm një i ri që punonte në tregun Dinamo dhe askush tjetër. /klanplus

Të ngjashme

Grupi

Kallezo