Endri Mustafa 32 vjeç u gjet i vrarë më 17 Maj 2021 në zonën e livadheve në Shkodër. Emisioni Uniko ka intervistuar sërish nënën e Endri Mustafës, zonjën Fahrije, e cila ka treguar se kush ka organizuar vrasjen e të birit. Endri Mustafa kishte dalë nga shtëpia mbrëmjen e 15 Majit 2021 pas një mesazhi në celular. Dyshohet se ai ishte nxjerrë në pritë. Dy ditë më vonë, policia gjeti trupin e pajetë të 32-vjeçarit rreth 1.9 kilometra larg shtëpisë, në zonën e quajtur livadhet.

Ekzekutimi i Endri Musafës, flet nëna e viktimës: Plani për vrasjen e djalit u bë në shtëpinë e Astmer Bilalit

Adoleshenti Ergys Malja është dënuar me 10 vite burgim si personi që nxorri në pritë 32-vjeçarin Endri Mustafa, i cili u gjet i vrarë më 17 Maj 2021 në zonën e livadheve në Shkodër.

Por nëna e të ndjerit, Fahrije Alija, thotë se për vrasjen e djalit të saj janë të përfshirë edhe persona të tjerë.

Në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, ajo flet me emrat konkretë, të cilët sipas saj, janë të përfshirë në vrasjen e Endri Mustafës.

Zonja Fahrije Alija përmend emrin e Astmer Bilalit, person sipas të cilës, ka dijeni për vrasjen e Endri Musfaës dhe që plani ishte hartuar në shtëpiën e tij.

Ajo flet edhe për Edison Arrazin, si person që natën e vrasjes ka qenë së bashku me djalin e saj. Edison Arrazi u arrestua nga policia, por për kultivim kanabisi dhe jo për vrasjen e Endri Mustafës. Ndërsa nëna e viktimës ngulmon se ai ka dijeni edhe për vrasjen e të birit.

Sa i përket Ibrahim Licit, person i cili është i akuzuar nga policia për këtë vrasje dhe në kërkim, ajo thotë se ky person nuk është i përfshirë.

Spartak Koka: Çfarë ka të re nga historia e vrasjes së djalit tuaj? Duhet të kujtojmë se ju jeni e vetme në kërkim të drejtësisë për vrasjen e djalit tuaj pa mbështetjen e askujt, vetëm ju personalisht po vijoni me ngulmim dhe me vendosmëri për të zbardhur autorët e vërtetë të kësaj ngjarje? Nuk jeni të kënaqur nga dënimi i Ergys Maljas?

Fahrije Alija: Jo.

Spartak Koka: Kush fshihet tjetër?

Fahrije Alija: Këta fshihen. E gjithë kjo ngjarje është e Astmer Bilalit.

Spartak Koka: Ergys Malja është dënuar 10 vite. Është personi i cili sipas prokurorisë dhe gjykatës e ka nxjerrë djalin tuaj jashtë. Çfarë detajesh të tjera keni sot dhe çfarë doni ju të publikoni, të deklaroni në media nëpërmjet kësaj interviste? Ju keni ardhur nga Shkodra në Tiranë për këtë intervistë. Përveç Ergys Maljas, në dijeninë tuaj, kush ka qenë tjetër i përfshirë?

Fahrije Alija: Mua atë natë ma ka marrë Ergys Malja, e ka nxjerrë nga dera e ka çuar deri te ByPassi. Atje e ka pritur Edison Arrazi, Coli.

Spartak Koka: Nga e dini ju? A mund të më përshkruani?

Fahrije Alija: Unë e di se më ka lënë djali fjalë se djali nuk ka dalë asnjëherë pa treguar se ku po shkon e çfarë bën. Djali i tha nuses që bë rrobat gati se dua të shkoj deri në livadhe me Ergysin, me Erin. Është bërë gati dhe ka dalë. I kam thënë që mos dil se për 3 mijë Euro ai të nxjerrë. Djali më tha që nuk jam vetëm, por jam edhe me Colin.

Spartak Koka: Kush është Coli?

Fahrije Alija: Unë tani jam kam mësuar emrin tamam, Coli është Edison Arrazi, vëllai i Erdgys Arrazit. Këta janë dy ëvllezër, kanë hyrë e kanë dalë 1 vit rreth tek ne. Kanë qenë shokë të djalit të dy vëllezërit. Këta janë shokë të Astmer Bilalit.

Spartak Koka: Edison Arrazi, pas mësimit të ngjarjes së djalit tuaj dhe pas kallëzimit që keni bërë në polici, është arrestuar për kultivim të lëndëve narkotike, por nuk është arrestuar për vrasjen e djalit tuaj dhe nuk ka një akuzë ndaj tij për vrasjen e djalit tuaj.

Fahrije Alija: Ata atë natë që e kanë kapur, Edison Arrazin e kanë kapur për djalin tim. Se ky Ergys Malja e ka nxjerrë i ka thënë që më ka thënë Edisoni, Coli. Por unë them që e gjithë kjo është me Astmer Bilalin. Tërë kjo gjullurdi është bërë te Astmer Bilali, në shtëpi të tij.

Spartak Koka: Pra ju akuzoni Astmer Bilalin drejtpëdrejt që ka dijeni për ngjarjen?

Fahrije Alija: Po, po. Dijeni e tij, të gjitha janë të tijat.

Spartak Koka: Pse përmendni Astmer Bilalin kur policia ka shpallur në kërkim Ibrahim Licin? A mund ta shpjegoni konkretisht? Ibrahim Lici, në informacionet që ju keni, ka implikim në vrasjen e djalit tuaj?

Fahrije Alija: Jo, asnjëherë nuk ka implikim. Sepse fillon qysh te qingji që e ka prurë në shtëpi edhe që i ka thënë djalit që kam një fidanë hashashi, ajo është që e ka bërë vetë Astmer Bilali me njerëzit, me këta që m’i ka prurë në shtëpi.

Spartak Koka: Ergys Malja, siç kemi zbluar edhe nga dosja, ka qenë një njeri i afër i Astmer Bilalit dhe merrej me kuajt e familjes së Astmer Bilalit. Por çfarë e lidh Astmerin drejtpërdrejt me djalin tuaj? Edison Arrazi, keni informacione që shoqërohej me Astmer Bilalin?

Fahrije Alija: Po, janë shokë, hyjnë e dalin.

Spartak Koka: Pra, Edison Arrazi, Erdgys Arrazi janë shokët e Astmer Bilalit?

Fahrije Alija: Po, po, edhe ky fëmija. Kanë hyrë e kanë dalë edhe ia kanë bërë djalit këtë gjullurdi, e kanë bërë te shtëpia e Astmer Bilalit. Plani është gatuar atje të shtëpia e atij. Asnjëherë nuk është e vërtetë që e ka bërë Ibrahim Lici.

Spartak Koka: Këto deklarata i bëni me vullnetin tuaj të lirë zonja Fahrije?

Fahrije Alija: Po. Me vullnet e lirë me Zotin lart dhe e vërteta që ka qenë ajo natë Bajrami. Të vërtetën duan ta mbulojnë, por e kanë brenda se të dy janë brenda në burg. Ma ka marrë ky fëmija atë natë dhe Edison Arrazi që ma ka çuar në livadhe.