Dy persona mbetën të vrarë më 29 Mars në qytetin e Kavajës, pasi u konfliktuan me njëri-tjetrin. Altin Rexha dhe Armando Gosa ishin konfliktuar edhe më herët mes tyre, konkretisht në verën e vitit 2022.

Sipas të dhënave policore, Armando Gosa e kishte ofenduar në Gusht 2022 Altin Rexhën duke i thënë se “malokët nuk ishin të mirëpritur në Kavajë”.

Pas këtij momenti, Altin Rexha me origjinë nga Kukësi, kishte marrë një pistoletë pa leje të cilën e mbante për vetëmbrojtje.

Ditën e ngjarjes, më 29 Mars 2023, të dy u takuan në rrugë. Nga kamerat e sigurisë së lokalit, të cilat transmetohen në këtë emision, Altin Rexha është së bashku me fëmijën e vogël në momentin kur ai përballet me Armando Gosën. Në pamjet duket çasti kur Altin Rexha mban pistoletën në dorë, ndërsa Armando Gosa ishte i armatosur me thikë. Më pas të dy qëlluan njëri-tjetrin dhe humbën jetën.

Por Armando Gosa nuk ishte hera e parë që përfshihej në ngjarje të tilla. Në këtë emision do t’ju sjellim historinë e para 10 viteve ku ishte përfshirë Armando Gosa në një sherr në mes të Kavajës dhe kishte goditur me sende të forta një person, i cili humbi jetën disa muaj pas asaj ngjarje.

Me thikë në xhep e pistoletë në brez/ Pamjet si nisi sherri me 2 të vrarë në Kavajë

Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus publikon pamjet pak sekonda para vrasjes së dyfishtë që tronditi Kavajën pasditen e 29 Marsit 2023.

Në këto pamje duken Altin Rexha dhe Armand Gosa, të cilët mbetën të dy të vrarë, teksa shkëmbehen në rrugë dhe mes tyre nis konflikti.

Armand Gosa i pret rrugën Altin Rexhës dhe nis ta fyejë. Altin Rexha mban djalin përdore së bashku me qesen me produket që ka blerë në market. Armand Gosa kthehet dhe niset drejt Rexhës. Ky i fundit nxjerr nga brezi pistoletën dhe e mbush.

40-vjecari Gosa i afrohet dhe fillon ta kërcënojë. Sipas dëshmitarëve, Rexha i kërkon shpjegime përse i del përpara me fëmijën dhe i ka kërkuar që ta çojë djalin në shtëpi dhe më pas të rikthehet për t’u sqaruar. Armand Gosa i afrohet kërcënueshëm.

Një qytetar i zonës afrohet për t’i ndarë por Gosa nuk tërhiqet. Një kalimtar tjetër afrohet për të ndarë palët.

Të dy distancohen disi. Megjithatë, Armand Gosa nuk ndalon dhe afrohet sërish drejt Altin Rexhës që po largohej së bashku me djalin e mitur.

Nga ky moment, palët humbasin nga fushëpamja e kësaj kamera sigurie. Pak sekonda më vonë, Armand Gosa godie me 6 thika në shpinë Altin Rexhën. Thika ka kapur dhe djalin e mitur të Rexhës duke e dëmtuar në krah.

Sipas dëshmirarëve, Altin Rexha lëshoi djalin dhe u kundërpërgjigj duke e qëlluar me 4 plumba pistolete Armand Gosën. Edhe pse i plagosur atë moment, Armand Gosa iu afrua dhe e goditi edhe 4 herë të tjera me thikë në kraharor Altin Rexhën.

Të dy humbën jetën nga gjakderdhja.

Sherri mes palëve kishte nisur në verën e vitit 2022 në një lokal në Kavajë. Armand Gosa kishte ofenduar Altin Rexhën me origjinë duke i thënë se “malokët nuk kanë punë në Kavajë”. Prej atij momenti, Rexha kishte marrë një armë pa leje dhe e mbante për vetëmbrojtje.