Në emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus u trajtua pjesa e 5-të e historisë së vrasjes së Martin Çeços, 26-vjeçarit nga fshati Kolanec i Maliqit.

Tina Pajollari, vajza e konsideruar “mollë sherri” që u zbulua për herë të parë nga emisioni Uniko, është arrestuar dy ditë më parë, ndërsa sot gjykata e la në burg. Ajo akuzohet si person i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Martin Çeços, trupi i të cilit u gjet i hedhur në liqenin e Kolanecit më 16 Qershor 2022.

Në emisionin Uniko me gazetarin Spartak Koka foli ekskluzivisht i fejuari i Tina Pajollarit. 18-vjeçarja ishte fejuar vetëm 2 javë më parë. Ai tha se do t’i qëndrojë në krah Tinës dhe se beson që ajo është e pafajshme.

Flet i fejuari i Tina Pajollarit: Po i bëhet padrejtësi, unë do ta mbështes. Me Valter Mollaj nuk ka patur lidhje

Tina Pajollari është arrestuar nga policia më 14 Tetor me urdhër të prokurorisë si e dyshuar për përfshirje në vrasjen e Martin Çeços 26 vjeç, trupi i të cilit u gjet i hedhur në rezervuarin e fshatit Kolanec në Maliq më 16 Qershor 2022.

Vetëm dy javë përpara se të arrestohej, Tina Pajollari ishte fejuar me një djalë nga Vlora. Ai është Artion Ferraj, i cili ka folur në një intervistë ekskluzive për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus.

Artioni tregon nëse do të vazhdojë ta mbështesë Tinën edhe tashmë që ajo është arrestuar si e dyshuar.

Ai këmbëngul se Tina është e pafajshme në këtë histori dhe nuk ka patur asnjë kontakt me Martin Çeçon.

Artion shprehet se do t’i qëndrojë në krah të fejuarës së tij dhe familjes së saj përsa kohë të besojë se Tina Pajollari është e pafajshme.

Artion Ferraj gjithashtu pohon me bindje se mes Tina Pajollarit dhe Valter Mollajt nuk ka patur një lidhje dashurie, sikurse po thuhet deri më tani nga hetimet e policisë dhe prokurorisë. Ai pranon se Valter Mollajn e njeh edhe vetë.

Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bledi Angjo janë 3 të arrestuarit e tjerë si të dyshuar në vrasjen me mbytje të Martin Çeços dhe që trupin ia hodhën më pas në rezervuar.

Spartak Koka: Prej sa kohësh jetoni në Marjan?

Artion Ferraj: Po bëj rreth 2 vjet që vij me bagëti këtu në Marjan dhe jemi njohur me Tina Pajollarin. Vinte mblidhte çaj, ishim takuar andej lart, vazhdoi muhabeti, këmbyem numrat e telefonit.

Spartak Koka: Kur? Prej sa kohësh?

Artion Ferraj: Po bën rreth 3 muaj që kemi folur. Jemi lidhur. Ka zgjatur rreth 15 ditë që ne kemi folur në telefon, pastaj jemi takuar.

Spartak Koka: Këtu në Marjan.

Artion Ferraj:Po, jemi takuar këtu në Marjan. Kemi ndenjur bashkë.

Spartak Koka: Jeni lidhur?

Artion Ferraj: Po, jemi lidhur. Kemi ndenjur pothuajse rreth 15 ditë këtu në fshat, pastaj kam ikur unë e kam marrë në shtëpi.

Spartak Koka: Ju zyrtarisht me Tina Pajollarin jeni të fejuar, të martuar, çfarë statusi keni?

Artion Ferraj: Të martuar me letra nuk kemi bërë gjë, por që kemi folur me familje, kam ardhur këtu te familja e saj. Çupën do ta marr unë, kaq u kam thënë këtyre dhe pastaj kam marrë çupën e kam çuar në shtëpi.

Spartak Koka: Keni ndërruar shenjë?

Artion Ferraj: Shenjë jo.

Spartak Koka: Pra, për ty Tina Pajollari është nusja jote?

Artion Ferraj: Po.

Spartak Koka: E do?

Artion Ferraj: Po. E kam marrë unë çupën nga këtu edhe kemi vajtur në Vlorë. Atje kemi bërë, siç e kemi ne zakonin, që vemi për darkë në shtëpi. Unë e kam pyetur dhe për këtë çështje se unë e dija pak a shumë, e kam dëgjuar në media. Edhe e kam pyetur pothuajse herë pas herë që është e vërtetë apo jo. Më ka thënë jo, s’është e vërtetë se mua më kanë bërë presion atje tha dhe nuk është e vërtetë kjo gjë. Bile ka qarë kur e kam pyetur unë. Nuk është e vërtetë më thoshte, këmbëngulte, për kokë të babit thoshte nuk është e vërtetë. Për kokë të vëllait, kështu thoshte.

Spartak Koka: Në bindjen tënde?

Artion Ferraj: Nuk është e vërtetë se përderisa unë i kam hyrë kësaj gjëje, unë e kam marrë për nuse, nuk është e vërtetë kjo gjë. Është bërë një e padrejtë, kjo gjë nuk është e vërtetë.

Spartak Koka: Tina Pajollari është e arrestuar sot. Pak më parë ju më rrëfyet se keni qenë vetë që e keni sjellë nga Vlora. A mund të më përshkruash nga momenti i parë që e ka kontaktuar policia deri te momenti që e mësuat që nusja juaj Martina Pajollari tashmë është e arrestuar.

Artion Ferraj: Kishte ardhur policia këtu edhe e telefonuan në telefon nga telefoni i mamasë së kësaj, edhe i thanë ka ardhur një urdhër-arrest për paraqitje. Duhet të paraqitesh për atë çështjen dhe të ikësh prapë, kaq i ka thënë.

Spartak Koka: Ju ishit në Vlorë atëherë?

Artion Ferraj: Jo, unë kisha ardhur lart.

Spartak Koka: Kur ju morën në telefon?

Artion Ferraj: Nusja ishte poshtë, unë isha këtu.

Spartak Koka: Nusja ishte në Vlorë me familjen tënde. Ti ishe në Marjan?

Artion Ferraj: Po. Isha këtu. Mori në telefon më tha mua më kanë kërkuar nesër andej. I thashë unë nesër nuk vete dot, pasnesër hajde lart ti i thashë, unë do dal në Korçë. Në rregull. Dola unë e prita te terminali dhe e kam çuar te prokuroria, atje e çova. Prit këtu më tha mua se pak punë kemi dhe do dal tha. Mirë i thashë unë. Pritëm deri në orën 16:30. Doli ajo, doli Tina, e futën në makinë, do e çojmë në policia më thanë mua. Edhe pastaj më tha kjo ka bërë një vrasje me paramendim. Duhet të zësh avokat më tha, ta zëjë shteti apo do ta zësh ti, më tha mua? I thashë unë do llafosem me familjarët dhe pastaj do të them. Jo, merëm në telefon më tha mua, edhe kaq.

Spartak Koka: Keni marrë sot avokat për Tinën?

Artion Ferraj: Po. E kanë marrë.

Spartak Koka: Pate mundësi të flisje me Tinën?

Artion Ferraj: Jo, fare.

Spartak Koka: I njeh Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj?

Artion Ferraj: Unë Valter Mollajn e njoh. E njoh nga mënyra që ne biem qumësht në baxho edhe mblidhemi të tërë. Nga kjo kemi krijuar një muhabet, edhe nga kjo e njohim njëri-tjetrin. Kemi vajtur te shtëpia e atij, kam ngrënë bukë. Këta dy të tjerët nuk i njoh.

Spartak Koka: Si e përshkruan Valter Mollajn? Si është për ty?

Artion Ferraj: Njeri i urtë, është njeri i mirë.
Spartak Koka: Kishe dëgjuar më parë në fshat para se të lidheshe me Tinën që ai kishte pasur një lidhje me Tinën?

Artion Ferraj: Jo.

Spartak Koka: E beson që Tina dhe Valter Mollaj kanë pasur një lidhje me njëri-tjetrin?

Artion Ferraj: Jo nuk kanë pasur, se po të kishin pasur lidhje unë nuk i hyja kësaj pune që deri sa unë jam lidhur me atë vajzë. Nuk i hyja fare. Po unë i kam besuar edhe asaj, i kam besuar edhe këtyre, familjes, që nuk është e vërtetë.

Spartak Koka: Ka folur ndonjëherë në telefon me Martinin?

Artion Ferraj: Jo më ka thënë. E kam pyetur, jo më ka thënë.

Spartak Koka: A i ka kthyer përgjigje Martin Çeços kur i ka shkruar?

Artion Ferraj: Jo, unë e kam pyetur dhe më ka thënë mua nuk është e vërtetë.

Spartak Koka: Po çfarë mendon Tina se ka ndodhur?

Artion Ferraj: Nuk e di tha se nga erdhi nga u bë kjo…

Spartak Koka: Po Tina ka pranuar dy herë në polici se ka dijeni për këtë vrasje.

Artion Ferraj: Më kanë trembur, tha, që unë e kam bërë këtë gjë.

Spartak Koka: Si e kanë trembur dhe kush e ka trembur?

Artion Ferraj: Më kanë bërtitur tha, ajo policja që më ka marrë. Më ka bërtitur kështu, thuaji që do pranosh këtë që kjo gjë është bërë, tha. Unë i kam thënë në qoftë se nuk është e vërtetë ti mos e prano. Në qoftë se është e vërtetë ti pranoje.

Spartak Koka: Ja ke thënë këtë?

Artion Ferraj: Po. Unë nuk pranoj tha, por kur vete atje ata bërtasin dhe unë kam frikë.

Spartak Koka: Ti sot çfarë mesazhi ke për Tinën që është në burg? Do e mbështesësh? Nuk do e mbështesësh? Cili është mesazhi jot si burri tashmë?

Artion Ferraj: Unë do ta mbështes se deri sa unë e kam marrë për grua unë do ta mbështes se kjo gjë nuk është e vërtetë. Se mua ma ka thënë dhe ma ka sqaruar që nuk është e vërtetë.

Spartak Koka: Do t’i qëndrosh këtij besimi deri në fund?

Artion Ferraj: Po.
Spartak Koka: Me Tinën, pasi të sqarohet situata dhe kur të dalë nga burgu, pretendoni të bëheni me fëmijë?

Artion Ferraj: Po.

Spartak Koka: Pra, në çdo lloj rrethana ti do ta mbështesësh Tinën?

Artion Ferraj: Unë do ta mbështes për të drejtën që ajo thotë mesa të kem mundësi.

Spartak Koka: Ka dalë që Tina thotë se ka qenë në Kolanec me ata të tre. Ka një audio deklaratë të policisë që thotë se ne e kemi të regjistruar dhe thotë që Tina pranon që ka qenë në Kolanec me këta të tre?

Artion Ferraj: Atë e ka thënë, unë e kam parë dhe në media, por nuk ka qenë në Kolanec.

Spartak Koka: Nuk ka qenë me këta?

Artion Ferraj: Jo.

Spartak Koka: Po që Martini i kishte shkruar Tinës ta ka thënë?

Artion Ferraj: Një herë e di, që i ka shkruar një herë dhe nuk i kam kthyer përgjigje fare tha i kam bërë bllok. Nuk i kam shkruar më, tha.

Spartak Koka: Çfarë mesazhi ke për familjen e Martin Çeços që të ndjek sot nga kjo intervistë. Është një histori që është shumë e ngatërruar.

Artion Ferraj:Unë them që të dalë e drejta dhe ai të marrë drejtësinë e tij dhe ne të na vijnë njerëzit tanë në shtëpi.

Spartak Koka: Po ju mendoni se Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj nuk janë të përfshirë në këtë histori?

Artion Ferraj: Jo.

Spartak Koka: Por policia i ka arrestuar bashkë me Bledi Angjon.

Artion Ferraj: I kanë arrestuar për arsye vetëm për këto që kanë ndodhur, për deklarimet që kanë dhënë këta, vetëm nga këta, edhe ata djemtë janë brenda, janë gjynah.

Spartak Koka: Pra, ti beson apo nuk beson se Valter Mollaj dhe Tina Pajollari të kenë pasur një lidhje jashtëmartesore apo një lidhje dashurie mes tyre?

Artion Ferraj: Jo se kanë kushërinj në radhë të parë edhe nuk ndodh. Valter Mollaj ka çupën sa Tina dhe nuk është e vërtetë. Këta hanë e pinë me njëri-tjetrin. S’ka mundësi që të ndodhi vërtetë se janë kushërinj.

Spartak Koka: Ti do të vazhdosh të rrish në Marjan?

Artion Ferraj: Unë dhe pak ditë jam në Marjan se kam bagëtitë se pastaj do iki në Vlorë.
Spartak Koka: Është e sigurt që ti do vijosh mbështetjen e familjes, pra ta ketë garancinë familja e Tinës apo jo?

Artion Ferraj: Po.

Spartak Koka: Çfarë premtimi do i japësh nënës së Tinës tani?

Artion Ferraj: Në qoftë se kjo gjë është kështu unë do vazhdoj ta mbështes.

Spartak Koka: Po në të kundërt?

Artion Ferraj: Në të kundërt unë nuk e mbështes dot, nëse e kanë bërë këtë gjë, unë nuk e mbështes dot se është gjë e madhe. Ndërsa në qoftë se është e drejtë, unë deri sa të kem mundësi unë do ta ndihmoj.

Vrasja e Martin Çeços, flet ish-kunati i Tina Pajollarit: Facebookun tim e përdorte motra e Tinës

Xhoni Potka, ish-kunati i Martina Pajollarit, ka folur për herë të parë pas vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço, trupi i të cilit u gjet i vrarë në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit në Qershor 2022.

Emri i Xhoni Potkës kishte dalë gjatë investigimit të emisionit Uniko nga Spartak Koka, si person që bënte mblesëri. Madje, edhe babai i Martinit, e përmendi emrin e Xhoni Potkës se i kishin dhënë 1 milion Lekë për të bërë mblesëri për Martinin dhe Tina Pajollarin.

Në një intervistë për emisionin Uniko në Klan Plus me gazetarin Spartak Koka, Xhoni Potka thotë se Martinin e kishte takuar vetëm një herë. Ai mohon pretendimet se kishte bërë ndërhyrë për të bërë mblesëri për të lidhur Martinin me ish-kunatën e tij Tina Pajollari.

Madje ai thotë se Facebookun e tij e përdorte ish-gruaja, motra e Tinës. Pak kohë pas vrasjes së Martin Çeços, Xhoni Potkën e braktisi dhe gruaja dhe ka shkuar të jetojë me shokun e tij Mikel Cycllari. Gjatë kohës që 26-vjeçari Çeço u gjet i vdekur, Xhoni thotë se ka qenë në Greqi ku dhe punon herë pas herë.

Spartak Koka: Më 12 Qershor të këtij viti ku ke qenë?
Xhoni Potka: Në Greqi.

Spartak Koka: Je me letra, i konfirmuar që ke qenë në Greqi?

Xhoni Potka: Brenda në Greqi, i kam me dëshmitarë.

Spartak Koka: Ke qenë në Greqi…

Xhoni Potka: Po, 3 muaj e 20 ditë.

Spartak Koka: Dhe kur je kthyer?

Xhoni Potka: Kur më ka braktisur nusja që ka ikur ka lënë fëmijët rrugëve.

Spartak Koka: Si e njeh ti Martin Çeçon, sepse emri jot është përmendur nga kjo vajza Arjola Hamzaj.

Xhoni Potka: Unë shisja lajthi dhe arra, ai lajthi. Ai u largua dhe unë ika, kaq gjë. Për punë pazari, ai në punën e tij unë në punën time. Pas ca kohe erdhi këtu në Goskovë në 2019, unë pija kafe në lokal. Tha ai e njoh këtë, për mua, e kam parë në Korçë tha.

Spartak Koka: Ai kishte ardhur me një person tjetër?

Xhoni Potka: Po. Hajde pini ndonjë kafe i thashë unë. Jo tha. Hajde ti. Vajta unë.

Spartak Koka: Përse kishin ardhur?

Xhoni Potka: Për nuse.

Spartak Koka: Pra nuk është se i kishe sjellë ti në Kosovë, kishin ardhur vetë?

Xhoni Potka: Po, vijnë aty, se çfarë llafosnin…

Spartak Koka: U futën te shtëpia e asaj vajzës Arjola Hamzaj apo jo.

Xhoni Potka: Po, unë mora kafen e rakinë dhe dola. Se çfarë u llafosën se çfarë bënë, unë s’kam dëgjuar asnjë gjë.

Spartak Koka: Është përfolur që janë marrë lekë ose janë premtuar lekë në atë histori në 2019. Ti ke marrë lekë?

Xhoni Potka: Asnjëherë.

Spartak Koka: Po është diskutuar për punë lekësh aty?

Xhoni Potka: Po hiç fare.

Spartak Koka: Vajza tha, Arterin e njohin të gjithë që merr lekë.

Xhoni Potka: Po çfarë lekë, çdo njeri të jetë dhe unë tani që jam pa martuar, unë një kafe do ta jap ore, 50 mijë, një palë këpucë, çfarë kam dëshirë unë. Por jo te unë.

Spartak Koka: Jo me çmim..

Xhoni Potka: Po çfarë thua, këto janë gjëra koti që llafosin këta.

Spartak Koka: Nga 2019 e ke takuar më Martin Çeçon?
Xhoni Potka: Asnjëherë. Hiç, kur them fare, hiç.

Spartak Koka: Nevzat Çeçon, babain e Martinit, e njeh?

Xhoni Potka: Po unë s’e njoh fare cili është, dje e dëgjova unë emrin e tij, që më morën në telefon.

Spartak Koka: E ke takuar ndonjëherë Nevzat Çeçon?

Xhoni Potka: Po asnjëherë.

Spartak Koka: Nevzat Çeço të ka përmendur emrin dje dhe të ka thënë që 1 milion Xhonit, 1 milion atij tjetrit dhe 500 Rezart Dokollit. Rezart Dokollin e njeh?

Xhoni Potka: Po unë s’e njoh.

Spartak Koka: Është personi që kemi marrë ne në emision.

Xhoni Potka: Po e kam parë kur e ke pyetur. Unë s’e njoh fare.

Spartak Koka: Në gjithë këtë histori, emri i cili është mollë sherri, të paktën e përshfaqur në opinionin publik, është Martina Pajollari, ish-kunata juaj. Pse?

Xhoni Potka: Po se ajo fliste.

Spartak Koka: Martini ka parë një vajzë te byrektorja, ndërkohë i është thënë një emër Tina Pajollari. Atë ditë ai flet me Rezart Dokollin dhe në darkë del emri i Tina Pajollarit, vajza e byrektores por që nuk korrespondonte fytyra me emrin. Pas 2 ditësh, Martin Çeço i nis motrës së tij profilin tënd Xhoni Potka dhe Xhoni Potka e kishte hequr nga Facebooku. Ndërkohë në intervistën e fundit që kam marrë të Tina Pajollarit thotë që Xhoni Potka më hapte Facebookun mua. Martin Çeçon kush e hoqi? Ti e ke pasur friend në Facebook. Kush e hoqi nga friend Martinin?

Xhoni Potka: E kam patur, por unë as Facebook s’e ngas dot, as Messenger.

Spartak Koka: Nuk di rrjetet sociale?

Xhoni Potka: Po s’i di. Po të dija unë e kisha pikasur nusen time.

Spartak Koka: Kush e ka përdorur atëherë? Kush e ka hequr?

Xhoni Potka: Nusja e përdorte.

Spartak Koka: Facebookun tënd? Emrin tënd, Facebookun tënd?

Xhoni Potka: Nusja, ajo qe që e ka bërë. Unë nuk flisja dot me njerëzit e mi me Facebook se po të pyesësh Xhoni Potka dalin shumë veta, shumë Xhoni dalin.

Spartak Koka: Nga friend kush e ka hequr 2 ditë pasi ai i kishte shkruar Tina Pajollarit?

Xhoni Potka: Po unë s’di ta bëj as shok as ta fshij.

Spartak Koka: Po kush e ka bërë?

Xhoni Potka: E ka bërë ajo.

Spartak Koka: Gruaja juaj?

Xhoni Potka: Ish-gruaja time.

Spartak Koka: Tina thotë, më hapnin Facebook me emrin tim dhe ma përdorte dhe motra dhe Xhoni Potka.

Xhoni Potka: E kam dëgjuar unë që ka thënë ajo.

Spartak Koka: Çfarë përgjigje ke për Tinën?

Xhoni Potka: Të tëra që i thonë i kanë të tëra mashtrime që e kam hapur unë Facebookun se unë nuk flisja dot me motrën time jo të hapja Facebookun unë Tinës.

Spartak Koka: Je i sigurt?

Xhoni Potka: Unë e vë dorën në zjarr. Unë i përballem ligjit me çfarë të dojë ligji. Babait të Martinit, me këto që thotë ai i ka shumë gabim se unë as e njoh as më njeh.

Spartak Koka: Je gati të përballesh me ligjin?

Xhoni Potka: Po në vend. Kudo që të jem.

Spartak Koka: Ke dhënë deklarata, ke shkuar në polici, ke dhënë në prokurori deklarata?

Xhoni Potka: Kam dhënë në Prokurori.

Spartak Koka: Ke shkuar vetë me iniciativë?

Xhoni Potka: Vetë ore.

Spartak Koka: Pra, ke kërkuar të sqarosh pozitën tënde?

Xhoni Potka: Posi, si nuk e kam kërkuar.   

Spartak Koka: Në Qershor vritet Martin Çeço, pak ditë më vonë bashkëshortja jote Libora apo Sibora si e thërrisni, ishte Shqipëri ato ditë dhe erdhi në Greqi bashkë me fëmijët.

Xhoni Potka: Po. Kur shikoj në media 3-4 ditë përpara se të vinte. Ajo donte të vinte këtej.

Spartak Koka: Donte të kthehej prapë në Shqipëri.

Xhoni Potka: Po, por unë e dija me mirëkuptim se unë besoj shumë. Ma hëngri kokën me të mirë. E nisa dhe unë do largohesha për në Gjermani. Kur vjen ajo këtu, hodhi çantën përjashta, fëmijët i la rrugëve. Vinin vërdallë në fshat, qanin fëmijët, unë kam dhe dëshmitarë.

Spartak Koka: Braktisi fëmijët?

Xhoni Potka: Braktisi fëmijët, djalë e çupë.

Spartak Koka: Çfarë moshe?

Xhoni Potka: Djali 8 vjeç, çupa 2 vjeç.

Spartak Koka: Si i braktisi? Nëna e tyre?

Xhoni Potka: E nëna, ja ajo ishte nëna. I linte në gjumë dhe ka ikur herë të tjera, unë e kam me video që ka ikur ajo, i ka nxjerrë e ëma e saj, unë kam me prova që i ka nxjerrë.

Spartak Koka: Po atë ditë kush u kujdes për fëmijët?

Xhoni Potka: Unë lajmërova vajzën e xhaxhait, ka ardhur në orën 23:00 që i ka marrë.

Spartak Koka: Po sa orë kanë ndenjur fëmijët vetëm?

Xhoni Potka: Që në 18:00-19:00 deri në 23:00. U detyrova morën vajzën e xhaxhait se këtë kam afër. Fëmijët kanë ndenjur vetëm. Unë erdha nga Greqia.

Spartak Koka: Nuk more vesh se çfarë kishte ndodhur me gruan tuaj?

Xhoni Potka: Ore ka ikur, se nga ka ikur nuk e di se ku kishte ikur. Kur vij këtu unë i gjej fëmijët, djali ishte zgjuar, iku tha e mori një makinë portokalli. Erdha unë, për 20 minuta nuk e kam kapur, se po të ishte gruaja rrinte sqaroheshim.

Spartak Koka: Ku iku gruaja juaj?

Xhoni Potka: Në Porodinë ka ikur, te një Mikel.

Spartak Koka: Mikel Cycllari që ka qenë miku juaj.

Xhoni Potka: E kam patur shok.

Spartak Koka: Braktisi fëmijët, ju la dhe ju dhe iku.

Xhoni Potka: Po.

Spartak Koka: Me cilin justifikim?

Xhoni Potka: Pse ikur ajo këtë më bën çudi mua pse ka ikur pa u sqaruar fare. Se një njeri që është nënë, është nënë. Edhe maces po t’ja fshehësh vete i gjen. U bënë 3 muaj ajo s’i ka takuar njëherë fëmijët, që djali s’e do.

Spartak Koka: Ti ke bërë kallëzim?

Xhoni Potka: Kam bërë.

Spartak Koka: Për çfarë?

Xhoni Potka: Për braktisje të fëmijëve ndaj Liborës.

Spartak Koka: Pra, ju akuzoni Liborën që përdorte Facebookun tënd dhe të Tinës.

Xhoni Potka: Po ajo e ka bërë. Kush ja ka hapur Facebookun Xhonit kur ka qenë në Greqi kësaj radhe, herën e fundit thuaji, që ia hape që nga Shqipëria? E hapi ajo, se çfarë bënte me Facebookun tim unë nuk e di.

Spartak Koka: Pa u ndarë, keni biseduar për vdekjen e Martin Çeços?

Xhoni Potka: Jo fare, asgjë.

Spartak Koka: Po doli emri i Tina Pajollarit.

Xhoni Potka: I thashë unë, po ta ketë bërë le t’i meritojë se ai djalë gjynah.

Spartak Koka: Çfarë thoshte Libora?

Xhoni Potka: Hiç asgjë.
Spartak Koka: Libora Pajollari, në dijeninë tënde, e ka takuar Martin Çeçon? E njeh Martin Çeçon?

Xhoni Potka: Nuk e di çfarë ka bërë se unë dy herë në vit vij nga Greqia.

Spartak Koka: Babai juaj na tha që po e ka takuar Nevzatin se “i kam bërë një vend, donte të ulej të hante byrek, pa e njohur i kam thënë hajde ulu këtu”. Dhe ka ngrënë byrek dhe kanë shkëmbyer një bisedë ku i është blerë dhe djalit tuaj një top 5 mijë lekësh. Në atë tryezë ka qenë dhe Libora. Në këtë takim ju keni qenë në burgun e Drenovës dhe s’keni pasur dijeni. Babai juaj thotë as është bërë bisedë për mblesëri, as për pagesa.

Xhoni Potka: Unë s’di gjë fare.

Spartak Koka: Tina Pajollari, ish-kunata juaj, është e arrestuar tashmë si e dyshuar për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim. Keni një koment për këtë?

Xhoni Potka: Ajo fliste, unë i kam folur që më përpara. Fshiji, mos bë telefon se mua më vinte turp prej fshatit. Po flet me një, flet me një, mua më vinte zor. Fshiji, hiqi këto. Le që me mua nuk shkonte mirë njëherë.

Spartak Koka: Po pse? Se edhe ajo e ka thënë?

Xhoni Potka: Grindeshim, për punë e grindja që të punonte.

Spartak Koka: Edhe ajo nuk shkonim mirë, por tha mendoj se më hapnin Facebook.

Xhoni Potka: Ato janë gjëra gabim, ato ja hapte e motra.

Spartak Koka: Je i sigurt për këtë Xhoni?

Xhoni Potka: Jam shumë i sigurt që e hapte motra, se unë nuk hapja dot timin jo të hapja të ish-kunatës. Mua të më lënë rehat në hallet që më kanë rënë dhe nuk kam nge. Ai ka të drejtën e tij se e ka evlat, por që unë s’kam gjë.
Spartak Koka: Ju në asnjë lloj rrethane nuk keni lidhje me vdekjen e Martin Çeços?

Xhoni Potka: Ore unë i përgjigjem ligjit deri në fund, edhe në Amerikë të jem do të vij. Po ta kem bërë unë këtë, mos i gëzoj të dy fëmijët, po të kem gisht unë për këtë gjë. Unë e di që më ngatërron ish-gruaja se nuk i vjen mirë asaj, por ato që janë të vërteta le t’i mbajë ajo që janë të vërteta. Jo të gënjejë, si kjo dhe e motra.

Motra e Tina Pajollarit: Facebookun e ish-bashkëshortit tim e përdorja unë, Martin Çeçon e fshiva unë nga shokët

Ish-kunati i Tina Pajollarit, Xhoni Potka, thotë se Facebookun e tij ia përdorte ish-bashkëshortja, Libora Potka (Pajollari), pasi nuk di ta përdorë.

Këtë deklaratë ai e bëri në emisionin Uniko me gazetarin Spartak Koka në Klan Plus.

Në një bisedë me audio, të publikuar në emisionin Uniko, edhe Libora Potka, tashmë ish-bashkëshortja e Xhonit, thotë se Facebookun e tij e përdorte ajo.

Libora Potka shprehet se Martin Çeçon nuk e njihte, por pohon se njëherë kishte shkuar në fshatin Voskop duke kërkuar për nuse së bashku me një person tjetër, Arterin.

Ajo pranon gjithashtu se Martin Çeçon e hoqi ajo nga lista e shokëve nga Facebooku i Xhoni Potkës.

Mikel Cycllari: Ajo (Bora) i ka hapur një Facebook.

Libora Potka (Pajollari): Ia kam hapur se ajo (Tina) nuk dinte ta hapte, jo se kam hyrë thjesht ia kam hapur.

Mikel Cycllari: Vite më parë.

Gazetari: Kush hyn tjetër në profilin e saj?

Libora Potka (Pajollari): Këtë nuk e di unë.

Gazetari: Martin Çeçon e njihje ti Bora?

Libora Potka (Pajollari): Nuk e njihja, por njëherë më ka ardhur mua në Goskovë.

Gazetari: Për çfarë?

Libora Potka (Pajollari): Nuk e di, për një nuse me një nga Voskopi.

Gazetari: Me Arterin?

Libora Potka (Pajollari): Po, me Arterin dhe kaq.

Gazetari: Dy ditë pasi ai shton Tinën në Facebook, na rezulton se Xhoni Potka e heq Martin Çeçon nga friend në Facebook…

Libora Potka (Pajollari): E kam hequr unë atë nga Facebooku jo Xhoni.

Gazetari: Po përse?

Libora Potka (Pajollari): Sepse ai filloi po bënte… bëri Tinën të motrën e atij (Xhonit). Po i bënte me radhë, e shikonte dhe po i bënte. I thashë unë hiqe se ky po bën njerëz. Shikonte çupa dhe po i bënte.

Gazetari: Motrën e kujt?

Libora Potka (Pajollari): Motrën e Xhonit. Dhe unë e hoqa dhe i thashë ç’a e do atë, po ia tha më erdhi me Arterin për nuse.

Gazetari: Tina thoshte se unë kam hapur kaq shumë profile Facebooku se passëordet m’i gjente Xhoni Potka me Borën dhe më ndërhyrnin aty.

Libora Potka (Pajollari): S’ka lidhje fare. Ç’lidhje kisha unë të zbuloja Facebookun e asaj. Asnjëherë, s’bëhej fjalë. Një gjë që nuk është e vërtetë ku të dojë le të shkojë.

Gazetari: Madje Bora më ka thënë që Xhoni Potka më futej në profilet e mia të Facebookut, m’i hapte dhe m’i kontrollonte.

Libora Potka (Pajollari): Jo fare. Ai nuk shikonte Facebookun e tij, nuk dinte të hynte e jo më të futej në Facebookun e Tinës.

Gazetari: Po kush ka hyrë në Facebookun e Tinës?

Libora Potka (Pajollari): Atë nuk e di.

Deklarata e re/ “Xhoni Potka shkruante nga adresa e Tinës, Martini kujtonte se fliste me Tina Pajollarin”

18-vjeçarja Martina Pajollari u arrestua 4 ditë më parë si person i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Martin Çeços 26 vjeç, trupi i të cilit u gjet i hedhur në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit më 16 Qershor 2022.

Nga hetimet e deritanishme të policisë dhe prokurorisë dyshohet se krimi ka ndodhur për xhelozi, pasi mendohet se Tina Pajollari ka patur lidhje dashurie me Valter Mollajn, të dy banorë të fshatit Marjan në Korçë.

Të arrestuar përveç Tina Pajollarit janë edhe Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bledi Angjo.

Nga hetimet është zbuluar se Martin Çeço i kishte shkruar në Facebook Tina Pajollarit. Por kjo e fundit ka thënë edhe përpara arrestimit, se nuk ka komunikuar me Martinin, por se kur ai i kishte shkruar i kishte bllok.

Dyshimet janë se profilet në Facebook të Martina Pajollarit përdoreshin edhe nga persona të tjerë. Këta persona dyshohet se janë motra e Tinës, Sibora Pajollari dhe ish-bashkëshorti i kësaj të fundit, Xhoni Potka.

Xhoni ka thënë për gazetarin Spartak Koka në emisionin Uniko se nuk di të përdorë as Facebookun e tij.

Por vëllai i mitur i Tina Pajollarit, thotë për emisionin Uniko se Facebookun e motrës së tij, Tinës, e përdorte Xhoni Potka, madje dhe motra e madhe, Sibora Pajollari.

Spartak Koka: Vajza juaj ka folur apo nuk ka folur me Martin Çeçon?
Miranda Pajollari: Po çne ku ka folur me atë.

Spartak Koka: Po çfarë të ka thënë ty?
Miranda Pajollari: Nuk ka folur më ka thënë mua, më bëri ftesë tha, unë s’ja pranova tha. Edhe i bëri bllok. Që atëherë nuk i ka rënë më.

Vëllai i Tina Pajollarit: Ka shkruar ai me adresën e saj. Ka shkruar Xhoni. Ka folur me adresën e Tinës.

Spartak Koka: Ka folur me Martin Çeçon?

Vëllai i Tina Pajollarit: Po.

Spartak Koka: Jeni të sigurt?

Vëllai i Tina Pajollarit: I sigurt.

Spartak Koka: Kush ta ka thënë?

Vëllai i Tina Pajollarit: Më ka thënë Tina që ka hapur adresën time.

Spartak Koka: Po ku e ka thënë? Ja u ka thënë ju?

Vëllai i Tina Pajollarit: Po.
Spartak Koka: Po nga e ka provuar këtë?

Vëllai i Tina Pajollarit: E hapnin, e dinte që e hapnin, e kishin kodin ata. Kishte hapur adresën në telefon të atyre, të Xhonit. Adresën e Tinës edhe fliste Xhoni si puna e Tinës.

Spartak Koka: Me Martinin?

Vëllai i Tina Pajollarit: Po. Martini e dinte se ishte Tina, por shkruante Xhoni.

Spartak Koka: I ka shkruar Xhoni? Je i sigurt për këtë?

Vëllai i Tina Pajollarit: Po kështu tha Tina.

Spartak Koka: Po me telefon ka folur ndonjëherë Tina?

Vëllai i Tina Pajollarit: Me kë?
Spartak Koka: Me Martinin?

Vëllai i Tina Pajollarit: Jo, s’e di as unë.

/tvklan.al