Jani Rustemaj, një i ri nga Tirana, ndodhet në QSUT në gjendje të rëndë për jetën pasi u arrestua nga policia më 12 Prill 2023.

27-vjeçari u vu në pranga për vjedhjen e një tapeti dhe një pale atlete. 5 ditë pas arrestimit, më 16 Prill u dërgua me urgjencë në QSUT.

Po atë ditë, në pasdite, policia njoftoi të ëmën e Janit se ky i fundit është dërguar në spital nga dhomat e paraburgimit të policisë.

Në një intervistë për Uniko, nëna e Jani Rustemaj tregon se policia nuk i ka dhënë asnjë informacion për gjendjen shëndetësore të të birit. Ajo thekson se djali nuk vuan nga asnjë sëmundje dhe nuk e lënë as që të hyjë në spital t’i qëndrojë afër.

Ajo ngre dyshime mbi sjelljen e policisë pas arrestimit të të birit.

(Intervista e gazetarit Spartak Koka me nënën e Jani Rustemit)

PJESË NGA INTERVISTA

Pranvera Rustemi: Jam një nënë me 5 jetimë. Kam problemin e djalit, Jani Rustemi e ka emrin, është kapur më datë 12 Prill, në orën 15:30. Pasi u kap, i shkova njëherë në burg. E arrestuan për vjedhje, kishte arrestuar një tapet një palë atlete. Më erdhi policia në darkë bashkë me çunin, dola jashtë, te furgoni i policisë e kisha djalin. Fola, ishte mirë djali atë ditë. Pastaj pas 4 ditëve më mori në telefon, më tha o ma më sill pasaportën se nuk më regjistrojnë këtu. Ja ku e kam pasaportën e djalit. Nuk kam arritur me ia çuar.

Spartak Koka: Çfarë i ndodhi?

Pranvera Rustemi: Nuk arrita, nuk kam pasur lekë, thashë kur të bëhem me lekë do shkoj do bëj takim për djalin. Pastaj më morën në telefon policët. Më thanë Pranvera Rustemi je? Po i thashë. Shkoni më thanë se keni djalin sëmurë. Kam shkuar te burgu i policisë.

Spartak Koka: E kishe djalin sëmurë, po nga se?

Pranvera Rustemi: Nuk ma thanë arsyen nga se.

Spartak Koka: Vuante nga ndonjë gjë? Kishte ndonjë problem shëndetësor?

Pranvera Rustemi: Jo. Asnjë lloj problemi. Kam vajtur, kam pyetur te spitali i burgjeve. I thashë ndodhet këtu Jani Rustemi, se më morën në telefon (më datë 17 prill). Nuk e gjeta aty, nuk ishte i shtruar. Pastaj pas disa ditëve më erdhi polici, dy civilë këtu në shtëpi. Shko më thanë filan vend. E ke sëmurë, pak me ftohje. Shkuam në spital. Kam vajtur te Nënë Tereza, çuni ishte në reanimacion, ishte shumë keq. Doktori më tha nuk kam shpresa për djalin tënd.

Spartak Koka: Tani që është në spital, e ke parë?

Pranvera Rustemi: E kam parë, djali është shtrirë. (Tregon videon) Djalin e kam gjet në spital, në këtë gjendje. Edhe këtë mezi e mora se nuk më linin policia, e mora fshehurazi. Këtu është në reanimacion dhe doktori tha nuk kemi shpresa, vetëm tek duart e Zotit e keni djalin.

Spartak Koka: Po çfarë i ka ndodhur djalit, çfarë tha doktori?

Pranvera Rustemi: Doktori tha vetëm që i kanë bërë shumë Metadon.

Spartak Koka: Po pse, djali ishte përdorues i lëndëve narkotike?

Pranvera Rustemi: Hashash, e dija që pinte.

Spartak Koka: Shumë?

Pranvera Rustemi: Jo. Ishte për bukuri./tvklan.al