“Rast i paprecedentë, gjobat pa asnjë prove e fakt”

Gjobitja kolektive e depove farmaceutike për rritjen e çmimit të maskave, dezinfektantëve është kundërshtuar nga Unioni i Biznesit Farmaceutik, si një masë që nuk paraqet asnjë provë apo fakt. Në reagim thuhet se megjithëse u gjobitën, depot farmaceutike nuk dinë çfarë shkelje kanë kryer.

“Anëtarët e Shoqatës dënojnë vendimin e Autoritetit të Konkurrencës, i cili jo vetëm që nuk është profesional, por haptazi bart elementë të paligjshmërisë pasi dënon në mënyrë kolektive të gjithë operatorët e tregut të produkteve farmaceutike, pavarësisht nëse kanë tregtuar ose jo materiale paramjekësore: Edhe pas leximit të vendimit të publikuar në faqen e Autoritetit të Konkurrencës, ende nuk dihet cila është shkelja e pretenduar e kryer në grup apo individualisht nga operatorët e ndëshkuar me vendim. Autoriteti i Konkurrencës, në vendimin e mëparshëm të Mars 2020, në fakt nuk ka vendosur asnjë masë konkrete kundrejt operatorëve shkelja e të cilave do të përligjte vendosjen e sanksioneve ndaj shkelësve”.

Sipas Shoqatës, gjoba ndaj depove farmaceutike është rast i paprecedentë në periudhë pandemie.

“Është rast i paprecedentë që ndërmarrjet e tregut ndëshkohen me gjoba, pa ju dhënë e drejta të dëgjohen apo të parashtrojnë fakte dhe të paraqesin prova në lidhje me shkeljen e pretenduar. Kjo përbën cenim të standardit kushtetues dhe konventor për një proces të rregullt ligjor”.

Sipas Shoqatës së Unionit të Biznesit farmaceutik nuk është ndërmarrë as veprimi më minimal për të përcaktuar konkretisht operatorët që kanë importuar dhe/ose tregtuar materiale paramjekësore. Sipas Shoqatës, Autoriteti i Konkurrencës në vendim e tij është mjaftuar me faktin që operatorët e përmendur dhe ndëshkuar në vendim, janë operatorë të tregut farmaceutik me shumicë.

Tv Klan