“Po penalizohemi nga ora policore. Lejoni grumbullimet dhe muzikën deri në mesnatë”

Unioni Turistik Shqiptar kërkon heqjen e kufizimeve anti-Covid 19. Sipas tyre mbajtja në fuqi e orës policore, nga 23:00 deri në orën 06:00, mos lejimi i muzikës në lokale pas orës 22:00 dhe mos lejimi i eventeve me mbi 50 persona, po sjell vështirësi në këtë sektor, si dhe shërbimet për turistët e huaj.

Përfaqësuesit e 250 sipërmarrjeve private, pjesë e grupimit Unionit Turistik Shqiptar, nëpërmjet një letre drejtuar Ministres së Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, Mira Rakacolli, Drejtoreshë e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit, kanë kërkuar ndryshim të masave kufizuese të Covid-19.  

Ata kanë dy kërkesë, ku e para është heqja e orës policore pasi sipas tyre turistët që vijnë nga jashtë u qëllon që të udhëtojnë natën nga aeroporti i Rinasit dhe shpesh herë janë penalizuar nga policia për shkak të masave kufizuese të Covid-19.

Kërkesa e dytë e Unionit Turistik Shqiptar, lidhet me shtyrjen e orës së lejimit të muzikës. Ata kërkojnë që muzika të lejohet deri në mesnatë në orën 00:00 dhe jo siç është tani deri në orën 22:00.

Klan News