Fitore Championsi për “djajtë e kuq”, Newcastle dhe Tottenham në javën e 30

Manchester United vazhdon me objektivin për të siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve, duke mundur 2-0 Evertonin, me gëzimin për fitoren që u zbeh nga dëmtimi i Markus Rashford.

“Djajtë e kuq” e goditën 21 herë portën kundërshtare në pjesën e parë, por goli erdhi në minutën e 36’ nga Skot Mek Tominei.

Në minutën e 71’, Enthoni Martial vulosi fitoren, ndërsa për të ishte goli i tetë në karrierë kundër Evertonit.

United është në vend të katërt me 56 pikë, po aq sa edhe Newcastle një pozicion më sipër, që fitoi në transfertë ndaj Brentford 2-1.

Me Frenk Lampard në stol, Chelsea u mund jashtë nga Uolverhempton 1-0. Golin e vetëm të sfidës e realizoi Nunjes në të 31’. “Blutë” e Londrës krijuan shumë gjatë takimit, por ishin të paaftë në finalizim.

Totenhemi mundi Braitonin në shtëpi 2-1. Miqtë dominuan ndeshjen, ndërsa iu anuluan dy gola për prekje të topit me dorë.

Son kaloi në avantazh vendasit pas 10 minutash lojë. Rezultatin e barazoi Dank pas 24 mintuash.

Në pjesën e dytë, sfida u tensionua dhe pas një përplasjeje mes pankinave, tekniku i Braiton de Zerbi dhe ai përkohshëm i Spërs, Stelini, u ndëshkuan me karton të kuq.

Golin e fitores e realizoi Kane në të 79’. Spërs renditen të pestët në kuotën e 53 pikëve, 3 më pak se sa United.

Në takimet e tjera, Aston Vila mundi Notingam Forest 2-0, Uest Hem triumfoi minimalisht ndaj Fulhem në transfertë, ashtu si edhe Bornemouth ndaj Lester Siti.

Klan News