Revolucionarizohet astronomia.

Që sot kjo shkencë nuk do të jetë më e njëjta. Sot është kapur sinjali i gjeneruar nga përplasja e dy yje neutronesh kaq të dendura sa krijuan një gjendje ekstreme të materies. Sinjali është dëgjuar nga aparatet e valëve gravitacionale Ligo dhe Virgo dhe nga 70 teleskopë në Tokë dhe hapësirë. Lajmi i madh është anonçuar në të njëjtën kohë në SHBA dhe Evropë.

Sinjalet që na kanë mbërritur kanë udhëtuar 130 mln vjet dhe signali i ndritshëm që ka lëshuar përplasja e yjeve është vrojtuar 1.7 sekonda pas atij të valës gravitacionale. Kjo diferencë e papërfillshme në kohën e mbërritjes së dy sinjaleve është e saktë dhe vërteton që dy shpejtësitë janë të barabarta, ashtu siç kishte parashikuar gjeniu Albert Einstein në teorinë e relativitetit.

Pra shpejtësia e valevë gravitacionale është e njëjtë me atë të dritës.

Por edhe zbulime të tjera të rëndësishme kanë mbërritur sot në planetin tonë. Për herë të parë është vrojtuar se Universi është një fabrikë floriri dhe platini.

Fizikantët dhe astrofizikantët shpjegojnë se çifti yjor i neutroneve që janë parardhëset e vrimave të zeza, të përplasura me dendësi aq të madhe, kanë gjeneruar valët gravitacionale që dëgjuam sot dhe më pas shpërthimi është shoqëruar nga një shkëndijë rrezesh gama, që u dalluan nga disa teleskopë në hapësirë. Dhe kështu pas dhjetëra vitesh u zbulua misteri se nga mbërrijnë metalet më të rënda se hekuri, përfshirë arin, platinin apo uraniumin.

Vrojtimi i sotëm është i pari i këtij lloji në historinë e njerëzimit dhe madje as në laborator nuk ishte krijuar ndonjëherë pasi ishte e pamundur.

KLAN PLUS