Universitetet nisin më 17 Tetor

Universitetet nisin më 17 Tetor

12:38 10/08/2022

MAS: Viti shkollor starton më 12 Shtator, një javë pushime dhe në Prill

Viti i ri shkollor do të nisë më 12 Shtator. Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit ka përcaktuar edhe përfundimin e vitit të ri shkollor i cili është më 14 Qershor 2023.

Në urdhrin për strukturën e re të vitit shkollor, Ministria e Arsimit ka miratuar edhe periudhën e pushimeve, e cila ka ndryshuar sepse veç pushimeve të dimrit do të ketë edhe pushime mes semestrit të dytë. Pushimet e dimrit fillojnë më 26 Dhjetor 2022- dhe mbarojnë më 4 Janar 2023. Ndërsa pushimet e tjera fillojnë më 3 Prill 2023 dhe mbarojnë më 9 Prill 2023.

Prej datës 15 deri më 25 Gusht hapet faza e dytë e regjsitrimeve në shkollë. Prindërit që ende nuk i kanë regjistruar fëmijët në klasë të parë kanë mundësi që t’i regjistrojnë online në portalin E-Albania, por ashtu edhe nxënësit që do nisin gjimnazin mund të regjistrohen online në klasë të 10-të.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka miratuar edhe urdhrin për caktimin e datës së fillimit të vitit të ri akademik dhe mbarimit të tij.

Sipas këtij urdhri, fillimi i vitit akademik në institucionet e arsimit të lartë do të jetë më 17 Tetor 2022, dhe mbarimi i tij do të jetë në datën 29 Shtator 2023.

Universitetet në përfundim të regjistrimit të kandidatëve fitues, duhet të dërgojnë në të gjitha ndërmarrjet e trajtimit të studentëve, listën e studentëve të regjistruar, sipas programeve të studimit dhe fakulteteve përkatëse në mënyrë që të akomodohen në konvikte. Por kjo datë është cilësuar nga pedagogët si shumë e vonuar, dhe i kanë bërë thirrje Ministrisë së Arsimit që data të afrohet në fillim të Tetorit.

Klan News





Të ngjashme