Katër mijë maturantët që aplikuan për në universitet por nuk u shpallën fitues në asnjë degë përgjatë dy raundeve, kanë tashmë mundësinë e artë për t’u regjistruar në degët ku ende ka vende bosh.

Edhe pse regjistrimet u mbyllën në 14 Tetor, udhëzimi më i fundit i ministres së Arsimit ka hapur dyert për jo fituesit, në mënyrë që të plotësohen kuotat e mbetura bosh.

“Kush ka interes që është në listë pritjeje, paraqitet pranë fakultetit , dorëzon kërkesën, departamenti e merr në shqyrtim brenda ditës, nxjerr listën, nëse ka interes për të vazhduar ka mjaftueshëm kohë dy – tre ditë për t’u regjistruar ose mbase edhe një ditë.”

Procesi i regjistrimit do të zgjasë deri në 26 Tetor. Këtë vit universitetet kanë vënë në dispozicion në total 31 mijë kuota, ndërkohë që numërohen 27 mije aplikime nga maturantët. Kjo situatë u ka dhënë mundësinë të gjithëve të regjistrohen në një universitet dhe sërish mbeten 4 mijë vende të lira.

Tv Klan