Gjykata e Posaçme la në fuqi masat e sigurisë “Arrest në burg” për 11 personat e vënë nën hetim në kuadër të dosjes së SPAK dhe Antimafias italiane për trafik të narkotikëve si pjesë e një organizate kriminale.

Masa ndryshoi për 3 persona në “Detyrim për tu paraqitur” që dyshoheshin për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.

Në një seancë që zgjati mbi 4 orë, të gjithë kërkuan zbutje të masës së sigurisë me argumentet e mungesës së provave, apo rrethanave familjare.

Përballë këtyre pretendimeve, SPAK tha se gjatë seancës nuk doli asnjë shkak që do zbuste masat e sigurisë për të hetuarit, duke i qëndruar kërkesës për vijimin e tyre në qeli.

Hetimet disa vjeçare të SPAK dhe Antimafias italiane identifikuan të paktën 52 persona si pjesë e një organizate kriminale që trafikonte kokainë, heroinë dhe kanabis.

Ata kishin krijuar 2 rrugë të transportit, atë të kokainës nga Amerika Latine dhe të heroinës nga Turqia, drejt vendeve të Ballkanit dhe më pas në Itali e në vendet e BE.

SPAK tha se ka sekuestruar edhe shumë pasuri të organizatës italo-shqiptare duke e konsideruar atë si një nga më të fuqishmet në Shqipëri.

Nga rastet e dokumentuara rezulton se organizata ka trafikuar 1800 kg kokainë e heroinë në 5 vite dhe se ka lëvizur 5 milionë euro transaksione, shit-blerje të drogës.

Tv Klan