3 të vdekur, dëme të konsiderueshme dhe mbi 1 milionë ndërtesa pa energji elektrike. Është ky bilanci i uraganit Helen që goditi natën e të Enjtes, Floridan me fuqi erërash që arrinin 225 kilometra në orë, një prej më të fuqishme që ka goditur këtë zonë deri më sot, por që tashmë e kanë humbur fuqinë e tyre, duke u shndërruar në një stuhi tropikale.

Erërat e fuqishme shkaktuan shira të rrëmbyer dhe dallgë të mëdha që përmbytën zonat bregdetare jo vetëm të Floridas, por edhe Xhorxhias. Shumë rrugë u shndërruan në lumenj të furishëm ndërsa ujërat përmbytën deri katet e para të ndërtesave.

Shumë linja të energjisë u shkëputën për shkak të dëmtimit nga pemët e thyera, ndërsa ekipet e emergjencave zbritën në terren për t’u ardhur në ndihmë atyre banorëve që nuk pranuan të evakuoheshin para mbërritjes së uraganit.

Pritet që pas Xhorxhias, Helena me një fuqi gjithnjë në rënie, të hyjë më në brendësi të territorit të Shteteve të Bashkuara drejt Tenesit.

Tv Klan