Gjysmëfinalja e “X Factor Albania” vjen plot surpriza në ekranin e Tv Klan. Siç ishte lajmëruar, katër konkurrentët do të këndojnë me katër yje të skenës. E para është Rigersa e cila u ngjit në skenë krah një super ylli dhe njëkohësisht ish-mentores së dy edicioneve në “X Factor Albania”, Tunës.
Me këngën “Bileta”, ato krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme, plot nostalgji dhe emocion. Pas performancës, Tuna ndau ndjesitë e saj të para me kthimin në skenën e “X Factor Albania”, por këtë herë në një tjetër status.
“Më mori malli sinqerisht. Ta marr veten sepse kjo skenë është gjithmonë emocion më vete, kjo skenë është shtëpia ime e dytë. Këtu janë njerëzit që janë mentorët më të mëdhenj në karrierën time. Sonte është ndjesi shumë e veçantë që jam pas shumë vitesh në këtë skenë, në një rol tjetër”, tha Tuna.
Ajo theksoi rëndësinë e platformave si “X Factor Albania” për të promovuar talentet e reja pasi edhe vetë e ka nisur po njësoj. E pyetur pse duhet ta fitojë Rigersa, artistja tha se në dy edicionet e saj ka nxjerrë fitues. Por njëkohësisht, Rigersa është konkurrente në grupin e Arilena Arës, e cila kur ishte vetë konkurrente e “X Factor Albania”, ndodhej në kategorinë e Tunës dhe doli fituese. Me shumë dashuri, ajo u uroi të dyjave suksese.
Alketa Vejsiu: Pse duhet ta fitojë Rigersa?
Tuna: Unë kam qenë dy edicione në juri dhe në dy edicionet kam nxjerrë fitues. Xhan-xhan jurinë…Unë jam skuadra fituese dhe ti duhet ta fitosh, prandaj! Nuk e di me kë është në ekip….
Alketa Vejsiu: Është me Arilenën.
Tuna: Më kupton tani?
Alketa Vejsiu: Të kujtohet ty kur ke qenë anëtare jurie ke thënë ti do të vish dhe të na zësh vendin neve këtu. Si të duket tani që Arilena, konkurrentja që ti e duartrokisje aq fort është aty tani dhe vërtet parashikimi yt u përmbush? Ti e ke mbështetur dhe e ke dashur shumë Arilenën.
Tuna: Arilenën unë vazhdoj ta mbështes dhe Arilena vazhdon të mbetet xhan, të mbetet një vajzë të cilën e kam mbështetur nga fillimet e saj. I uroj gjithë të mirat! Të ka hije shumë ai vend! Më kishte marrë malli për ty!/tvklan.al