Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar pas aksionit të policisë për ekzekutimin e urdhër-arresteve të SPAK ndaj 23 personave të përfshirë në kultivimin e kanabisit në Berat dhe Skrapar, mes të cilëve ka efektivë policie dhe zyrtarë të njësive administrative.

Ministri Çuçi thotë se ky operacion ishte iniciuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Ai shprehet se hetimet do të thellohen për të goditur këdo që tenton të përfshihet në paligjshmëri.

Është përmbyllur sot një operacion i rëndësishëm për goditjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit në vend. Ky hetim i iniciuar nga SHÇBA dhe i ndjekur në mënyrë profesionale nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë dhe nën drejtimin e SPAK, u finalizua me ekzekutimin e 23 vendimeve të Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar. Përgëzime për strukturat e angazhuara në këtë mega-operacion, të shtrirë në kohë dhe në gjithë hallkat e zinxhirit, nga kultivuesit e bimëve narkotike, autoritetet lokale e deri tek zyrtarët e Policisë së Shtetit, që duke shpërdoruar detyrën u bënë palë në këtë aktivitet kriminal. Shpreh bindjen dhe angazhimin e Ministrisë së Brendshme, për thellimin dhe shtrirjen e hetimeve gjithëpërfshirëse, për të goditur çdokënd që do të tentojë të përfshihet në paligjshmëri, duke i përballur ata me drejtësinë. Vetëm kështu do të ndërtojmë një Shqipëri më të sigurt e më të mirë për të gjithë”.

23 persona u arrestuan me urdhër të SPAK pasi rezultuan të përfshirë në kultivimin e kanabisit në Skrapar dhe Berat. Mes të arrestuarve janë 4 punonjës policie dhe 3 zyrtarë lokalë. /tvklan.al