Reagimi i madh që ka ngjallur ideja e kryeministrit për të krijuar një entitet sovran të Urdhrit Bektashi, shkruan në X, se ka tejkaluar kufijtë gjitha fantazive dhe ligësive të pritshme. E vetmja gjë që nuk është thënë sipas tij nga kundërshtarët e zjarrtë të kësaj ideje është historia dhe roli i bektashinjve në fatet e kombit dhe për sfidat e mbijetesës se këtij Urdhri.

“Padija e skëterrshme dhe shkujdesja brutale në trajtimin e një çështjeje me kaq vlerë, ma përforcojnë bindjen se kësaj ideje i ka ardhur koha të vihet në jetë dhe se nevoja e këtij hapi është jo vetëm në harmoni të plotë me interesin tonë kombëtar, po edhe në shërbim të domosdoshmërisë së investimit tonë të vazhdueshëm për ruajtjen e për pasurimin e thesarit të paçmueshëm të tolerancës e të harmonisë fetare, ku bektashizmi ka meritën dhe rolin e vet të pazëvendësueshëm krahas tre besimeve të tjera”, tha Rama.

Rama pranon se kjo nuk është një ide që mund të jetësohet kaq shpejt duke pohuar se më parë do të kalojë në një proces të gjatë publik dhe ligjor, por ndërkohë ai kërkon nga ata që e kundërshtojnë këtë projekt të informoheshin mbi kontributet e Urdhrit Bektashi. Ndërkohë vetë ai rreshton disa nga sfidat me të cilat është përballur dhe rrezikon të përballet ky komunitet, nga më të mëdhatë, ai i tkurrjes. Arsye këto që siç thotë e çuan te projekti i krijimit të një shteti bektashi.

“Ndryshe nga komunitetet e tjera, të cilat kanë avantazhin e natyrshëm të përkatësisë në komunitete shumë të mëdha me shtrirje globale – pra kanë edhe mundësi të mëdha mbështetjeje të pandërprerë në rrugën e tyre – komuniteti bektashi është si të thuash “jetim” në këtë këndvështrim. Prandaj afërmendsh që ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë. Të adresosh sot këtë çështje do të thotë të mbrosh një vlerë të jashtëzakonshme të trashëgimisë historike dhe kulturore të kombit shqiptar, pa llogaritur edhe të tjera të mira të mëdha që do t’i sjellë Shqipërisë e shqiptarisë krijimi i një entiteti të tillë sovran në botën e trazuar ku jetojmë”, tha Rama.

Në mbyllje kryeministri pranon që ka ende shumë kohë përpara se kjo ide të bëhet realitet dhe në Tiranë të krijohet shteti më i ri dhe më i vogël në botë.

Tv Klan