Urdhri për vrasjen e Devi Kasmit, i ekzekutuar në Tiranë më 29 Janar dyshohet se ka ardhur nga burgjet e Greqisë. Kështu shkruan e përditshmja greke “Kathimerini”, e cila citon një burim të sajin, sipas të cilit, urdhri dyshohet se ka ardhur nga shqiptarë të dënuar për trafik droge, që vuajnë dënimin në Greqi.

Gazeta e arsyeton këtë pretendim me faktin se vrasja e Kasmit lidhet me trafikun e drogës, ku ky i fundit ka qenë i përfshirë.

“Kathimerini” i kushton vëmendje edhe zhvillimeve të deritanishme mbi këtë ngjarje dhe të arrestuarve.

“Një 41-vjeçar i përjashtuar nga forcat e policisë greke u arrestua për vrasjen në Tiranë, të premten. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat. Avokati i tij mësohet se ka ofruar 10 mijë euro për ta lënë në liri me kusht, kërkesë e cila u refuzua nga zyrtarët shqiptarë”

, shkuan “Kathimerimi” për grekun Efthimios Efthimiu, personi i cili akuzohet si ekzekutori i vrasjes.

E përditshmja greke shkruan gjithashtu se tre shqiptarë të tjerë, Elton Halipaj, Elton Hoxhallari dhe Malvin Dinellari janë arrestuar për vrasjen, teksa policia është në kërkim të një të katërti.

Efthimios Efthimiu

I dyshuari kryesor, shkruan më tej “Kathimerini”, është ish-agjenti special i policisë greke, i larguar nga radhët e saj në 2011-n, pasi rezultonte i implikuar në të paktën 3 raste të trafikut të drogës.

Një ditë më parë, 4 të arrestuarit për vrasjen e Kasmit dolën para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ata u lanë të gjithë në burg. E njëjta masë, por në mungesë u dha edhe për personin e dyshuar si organizator i vrasjes, Aurel Hoxhallari, i cili vijon të mbetet në kërkim.

Prokurori i çështjes paraqiti në sallë prova që sipas tij faktojnë se vrasja e Devi Kasmit u organizua në bashkëpunim me Aurel Hoxhallarin. Filmimet e kamerave të sigurisë tregojnë se 41-vjeçari grek ka qenë në vendin e krimit.

Ai më pas është marrë nga një furgon në drejtimin e të cilit ishte Elton Halipaj. Ndërsa Elton Hoxhallari dhe Malvin Dinellari kanë krijuar kushtet për të kryer atentatin. Në burg vijon të mbahet edhe Mario Meshini, i cili u arrestua një ditë pas vrasjes, pasi u identifikua nga kamerat e sigurisë duke u larguar me motor nga vendngjarja.

//tvklan.al