1000 vizita në fundjavë, vetëm dy mjekë në shërbim

Fundjava ka shënuar numër rekord të pacientëve të vegjël që janë drejtuar në Urgjencën e pediatrisë ne QSUT. Sipas buirimeve zyrtare, 1000 vizita janë kryer vetëm përgjatë fundjavës, por edhe e hëna nuk ka nisur me më pak fluks.

Deri në orën 11:30 ishin regjistruar 223 pacientë, një pjesë e të cilëve janë ende në radhë për të bërë vizitën, radhë e cila shkon edhe në disa orë.  

“Kemi 3 orë këtu në radhë, ajo nuk po lëviz fare. Ne e kemi 202, ajo është 160, kemi 3 orë në radhë, po na vdesin fëmijët”.

“Kam 3 orë që jam këtu. Kam qenë dhe mbrëmë me dy fëmijët, prapë ika se s’kishte radhë, s’kishe nga me hy brenda. Hajde rri këtu prit në radhë, të vdes fëmija në dorë dhe s’mban përgjegjësi askush”.

I gjithë fluksi, siç pohohet edhe nga vetë punonjësit, përballohet vetëm nga dy mjekë.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare, thonë se fluksi në urgjencë krijohet për shkak të moszbatimit të sistemit të referimit, por dërgimit të fëmijëve direkt në urgjencë edhe pa qenë nevoja. Por në radhë mjaft të afërm të pacientëve thonë se vijnë me referencë nga mjeku i familjes.

“Vajtëm te mjeku i familjes, dha ilaçe ai, nuk i bëri gjë. Pastaj ishim të detyruar ta sillnim këtu”.

“Isha te mjeku i familjes, ja i kam bërë dhe analiza, tani jemi këtu që në 09:00, presim”.

Një makinë elektronike është ajo që përcakton radhen e vizitës, por sipas familjarëve, edhe ajo nuk respektohet, duke shtuar kështu orët e pritjes për disa.

“Dikush po futet pa radhë, dikush po futet me njohje, nuk e di nuk po marr vesh ç’po bëhet”.

“Një hyn me radhë, një hyn me njohje, një hyn pa radhë, ne rrimë këtu roje”.

Të gjithë pacientët janë të shoqëruar nga dy familjarë, ku njëri shërben për të mbajtur radhën dhe tjetri për të mbajtur fëmijën e sëmurë jashtë.

Tv Klan