Urimi i Berishës për Vitin e Ri 2002 (31 Dhjetor 2001)
Si çdo vit tjetër kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka uruar shqiptarët kudo që janë për fat dhe mbarësi në Vitin e Ri 2002.
Zoti Berisha gjatë përshëndetjes së tij nuk ka harruar të përmend zgjedhjet parlamentare dhe siç thotë udhëheqësi demokratëve, dhunimin e institucionit të votës së lirë. Por zoti Berisha është optimist për të ardhmen e shqiptarëve dhe të forcës politike që ai drejton.
Sali Berisha: Sonte është nata e ndërrimit të viteve. Festa e shpresës së pashuar dhe besimit të palëkundur të njeriut. Sonte, të gjithë ne festojmë së bashku dhe presim me shpresë dhe besim Vitin e Ri.
Urojmë për vete, urojmë për njëri-tjetrin, për fëmijët tanë, për miqtë tanë një Vit të Ri dhe të mbarë. Unë jam optimist dhe i bindur se asgjë nuk mund të pengojë, rrymën tonë të eci drejtë të ardhmes dhe të mbarësisë që meritojmë. Prandaj duke përfunduar, ftoj të gjithë shqiptarët të bashkojmë të gjitha forcat, mendjet, energjitë, përkushtimin për ta shndërruar Vitin 2002, në vitin më të bardhë të historisë sonë.
Vitin e rikthimit të votës së lirë dhe vlerave të demokracisë në Shqipëri dhe në vitin e integrimit të vendit në Europë. I ftoj të gjithë bashkëqytetarët dhe bashkëkombësit e mi, që në ndërrim të vitit, të ngremë së bashku dollinë për vete dhe njëri-tjetrin.
Për shqiptarët që kudo që ndodhen sonte, në shtëpitë e tyre tek miqtë apo të afërmit, në lokale, në spitale, në burgje apo në detyrë, të urojmë një vit sa më të gëzuar, më të begatë, më të lumtur më me shumë shëndet dhe mirëkuptim. T’i urojmë Shqipërisë, Kombit Shqiptar, miqve tanë kudo në botë, gëzim dhe mbarësi. Faleminderit! Gëzuar!/tvklan.al