Sali Berisha: “Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë, bashkëkombëse dhe bashkëkombës të mijë kudo që jeni, çasti kur akrepat e orës do të shënojnë ndërrimin e viteve po afron. Unë dua që me këtë rast, të bashkojë urimin tim me ato qindra e qindra urime të ngrohta që ju merrni nga familjarët, të afërmit, miqtë, shokët tuaj, me letra, thirrje telefonike, sms dhe kartolina edhe me gjithë zemër t’ju uroj gëzuar Vitin e Ri 2008!
Ju uroj shëndet, mbarësi, lumturi, gëzime për secilin prej jush, kudo që të ndodheni dhe të festoni, në vatrat tuaja familjare, në lokale tok me miq dhe shokë, të afërmit tuaj, brenda apo jashtë vendit. Në detyrë, në udhëtim, në spitale apo në vuajtje dënimi.
Për pak kohë do t’i themi lamtumirë vitit 2007, besoj se kemi të drejtë të vlerësojmë se ndahemi në tërësi nga një mik i mirë, sepse këtë vit shqiptarët e ndjenë veten më të lirë, më të sigurt më të begatë, më të respektuar se asnjëherë më parë. Ky ishte viti në të cilin ata u shpërblyen me rroga dhe pensione më të larta se ndonjëherë, viti në të cilin ekonomia shqiptare u rrit ndjeshëm, papunësia ra në nivele më të ulëta se më parë. Viti në të cilin shpenzimet në infrastrukturë u rritën rreth 3 herë.
Shqiptarët u vizituan nga miliona e miliona turistë nga mbarë bota. Viti 2007 ishte vërtetë një vit i mirë për çdo shqiptar sepse objektivat tona madhore kombëtare, pavarësia e Kosovës, integrimi i Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian janë më afër SE KURRË. Ky ishte viti në të cilin Shqipëria u nderua dhe u vizitua nga presidenti George Bush, i cili nga Tirana garantoi pavarësinë e Kosovës si dhe nga personalitete të tjera të mëdha evropiane dhe botërore.
Natyrisht unë jam i vetëdijshëm se viti që lëmë pas ka shkaktuar edhe dhimbje edhe lot, tek një numër familjesh dhe qytetarësh shqiptarë që janë përballur me fatkeqësi të ndryshme, por dhe me varfërinë papunësinë. Me gjithë zemër uroj që viti që vjet të sjellë gëzime në sytë, zemrat dhe vatrat e tyre. Unë jam i bindur se të gjithë ne së bashku me vitin që sa po vjen presim një mik të ri dhe të mirë, që sjell për ne më shumë shpresë të re, më shumë kurajë, vizion, besim, dashuri, mirëqenie, punësim dhe mbi të gjitha realizimin e projekteve tona të mëdha të këtij shekulli, Kosovën e pavarur, ftesën e integrimit të Shqipërisë në NATO.
Ndaj dhe unë me gjithë zemër uroj paqe, gëzim, lumturi në çdo zemër, në çdo vatër shqiptare. Gëzuar Vitin e Ri 2008, një vit të mbarë të bekuar për çdo shqiptar dhe miqtë e tyre kudo në botë! Gëzuar!”/tvklan.al