Bamir Topi: “Të dashur motra e vëllezër, bashkatdhetarë kudo ndodheni, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në vigjilje të Vitit të Ri 2008 vit veçanërisht i rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë, ju dërgoj nga thellësia e zemrës sime, çdonjërit prej jush urimet më të ngrohta.

Në këtë natë të ndërrimit të viteve unë mendoj me shumë respekt për të dashurit tanë, të cilët janë ndarë prej nesh duke na lënë kujtimin më të bukur dhe të paharruar të tyre. Në këto çaste të bukura për të gjithë familjet shqiptare, ju uroj më shumë dashuri, më shumë ngrohtësi dhe më shumë durim për të ndërtuar një vit më të qetë, një shoqëri më të begatë.

Në këto momente të rrjedhjes së kohës, dëshiroj t’u jem mirënjohës të gjitha nënave shqiptare, të cilat i dhanë jetë jetës, duke e bërë më të bukur vitin që largohet ngadalë. Së bashku me tik-takun e orës dëshiroj t’u qëndroj besnik ëndrrave të fëmijëve tanë për një vit më të bukur dhe të lumtur.

Kam dëshirën e madhe të ndaj urimin tim sot me të gjithë shqiptarët, të cilët për një jetë më të mirë për familjet e tyre dhe fëmijët e tyre, nisën rrugën e dhimbshme të emigracionit, me ata të cilët japin sot jo vetëm vlera monetare, por edhe njerëzore, morale dhe intelektuale në shoqëritë e huaja ku ata jetojnë e punojnë.

Një urim të veçantë për të gjithë ata që në këto çaste do të jenë në shërbimin tonë, që punojnë dhe sakrifikojnë për ne të gjithë, në mënyrë që kjo natë të bëhet më e bukur më e ndriçuar. Në këtë ditë të fundvitit, vëmendja ime shkon tek njerëzit më në nevojë ata që janë të vetmuar apo të sëmurë, për të cilët të gjithë duhet të dëshmojmë më shumë ndjeshmëri dhe përgjegjësi.

Do të dëshiroja që në vitin që vjen gjërat të ecnin më shpejt dhe më mirë për çdo njërin prej jush. Vështirësitë që kemi përballuar së bashku gjatë vitit që kaloi, si kriza e rëndë energjetike, shtrenjtësimi i vazhdueshëm i jetesës, korrupsioni administrativ, zvarritja e pafundme e çështjes së pronave dhe pronarëve të ligjshëm, pamundësia për të përmbushur detyrimet ligjore ndaj qytetarit nuk duhet të na shuajnë shpresën dhe as të na zbehin vullnetin e përbashkët për të ndërtuar një vit më të mirë për ne të gjithë.

Viti 2008 pritet t’i sjellë ngjarje historike popullit shqiptar, Shqipëria është afër realizimit të dëshirës së saj për tu bërë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut në muajin prill dhe duke provuar nëse ajo po rikthehet në familjen e madhe të vendeve të qytetëruara së cilës ajo i përket. Kosova do të festojë fitoren më të madhe në historinë e saj, mëvetësinë e saj, mëvetësinë e shtetit më  të ri, me kufij dhe koncepte europiane.

Jam më se i bindur që vetëm ju, puna dhe talenti, ndërgjegjja juaj, mund të bëjnë që Shqipëria të forcojë gjatë vitit 2008, të gjithë vlerat politike, ekonomike, kulturore e sociale, akoma të brishta në vitin që ne po lëmë pas. Vetëm duke u bashkuar rreth vlerave të vërteta, vetëm duke qenë vetvetja, vetëm duke dashur më shumë njëri tjetrin Shqipëria do të jetë e aftë të përballojë me sukses sfidat e saj të modernizimit dhe të qytetërimit. Vendi ynë beson tek ne, Shqipëria ka nevojë për të gjithë. Me këtë rast ju uroj gëzuar. Rroftë Shqipëria, rroftë populli i saj i mrekullueshëm.”/tvklan.al