“Uroj që një ditë ta shkruajmë një libër së bashku”

Një shkrim të gjatë i ka dedikuar Kryeministri Edi Rama, ish-Kryeministrit dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano i cili sot feston 68-vjetorin e datës së lindjes.

Një “kafshë të rrallë politike” e konsideron Edi Rama paraardhësin e tij, Fatos Nano. Vlerëson rolin që ka patur për të mbajtur të bashkuar Partinë Socialiste dhe për ta udhëhequr drejt progresistëve, sidomos në vitet e para të demokracisë pas rrëzimit të komunizmit.

Në shkrimin e tij, Rama thotë se Fatos Nanon mban marrëdhënie miqësore, saqë lidhjen mes tyre e konsideron si ndërrimin e turneve mes dy shoferëve të të njëjtës makinë, që në këtë rast është Partia Socialiste.

Por, edhe në këtë pikë, Kryeministri nuk mohon vështirësitë e turnit të parë, duke iu referuar periudhës kur kjo parti udhëhiqej nga Fatos Nano në kohëra më të vështira.

Në mbyllje të urimit të tij, Edi Rama nuk ka hezituar të shprehë dëshirën për të bërë një libër së bashku me Fatos Nanon, për t’ua lënë kujtim historinë e Partisë Socialistëve të tjerëve që do të vijnë pas tij.

Urimi i Kryeministri Edi Rama për Fatos Nanon:

FATOS NANO u gjend në krye kur armata e shpartalluar komuniste kryente funeralin e Partisë së Punës në mes të shkretëtirës, me flamurin e rreckosur të diktaturës së proletariatit në gjysëm shtizë, moralin nën shuajt e këpucëve të rraskapitura nga marshimi 45-vjeçar drejt horizontit që vetëm largohej derisa u zhduk dhe gurmazin e konsumuar të komunizmit që nxirrte thirrjet e fundit për luftë me tërë botën, teksa era e papërmbajtshme e ndryshimit e kthente vajtimin e egër të dëshpërimit, në një fishkëllimë sa çjerrëse aq edhe qesharake. Mes fytyrave verdhacuke të udhëheqësve gjemimmbytur nga ardhmja e qametit dhe sekretarëve lëkurërreshkur nga dielli i arafabrikakantiereve, “Qorri” ishte aty fytyra e dykuptimtë e kuadrit të ri të partisë, që punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit dhe e presorit garip të Ekonomikut, që tregonte barcaleta tallëse për regjimin e luante Bitëllsat me kitarën e tij.

Ishte pikërisht profili joskematik i Fatos Nanos që i dha atij skeptrin e të majtës së porsalindur pas varrimit të Partisë së Punës dhe natyra e tij jodogmatike, e kombinuar me burgosjen absurde që e pagëzoi si lider të pakonkurueshëm të socialistëve, i dha Partisë Socialiste një frymëmarrje të re e një perspektivë si forcë e parë në rrugën e përpjetë të politikës shqiptare. Mbase pa sakrificën e tij të imponuar, socialistët do të kishin pasur një fat më pak bujar, por edhe Fatosi pa atë sakrificë të imponuar, mbase nuk do ishte bërë lideri i tyre aq jetëgjatë. Fotoja që kam përzgjedhur për këtë ditë urimi ka qenë për mua pamja më domethënëse e Fatos Nanos fill pas daljes së tij nga burgu dhe ende sot befasohem nga ndryshimi i hatashëm mes saj e pamjes së tij në gjyq. Fatosi i prangosur para gjykatësve me vështrimin enigmatik, është presori i Ekonomikut i marrë peng që mbahet fort për sytë e popullit. Ndërsa Fatosi me duart e lira dhe sytë që shkëlqejnë fort është një kafshë e rrallë politike, të cilën pata fatin ta njoh nga afër.

Ai e mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një vijë sjelljeje të palëkundur të PS e unikale mes partive politike në Shqipëri. Në krye të PS ai i nxorri socialistët nga shkretëtira pas varrosjes së Partisë së Punës, duke i futur në Internacionalen Socialiste si një familje idesh progresiste të kohës së re dhe duke e bërë shpirtin e ndryshimit motor të lëvizjes përpara. Në krye të qeverisë atij iu desh të drejtonte daljen e popullit nga shkretëtira e piramidave dhe rifillimin e shtetndërtimit nga zeroja pas katrahurës rrafshuese të vitit ’97.

Historia e marrëdhënies sonë të zhvilluar mes ekstremesh, nga “birësimi” im në familjen socialiste me bekimin e Fatosit, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij, dihet përgjithësisht. Po në ndërkohën që flasim marrëdhënia mes nesh ushqehet shëndetshëm, me një komunikim miqësor ku e kuptojmë njëri-tjetrin në ajër, sepse prej kohësh tanimë flasim si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë, për të njëjtën makinë. Ose jo në fakt, se kur mendoj çfarë katërrrotaku sovjetik mori Fatosi në turnin e parë, çfarë mjeti shumë më të mirë mora unë prej tij dhe çfarë brandi shpejtësie është sot Partia Socialiste, flasim në fakt si dy pilotë të një makine që duhet të vijojë vetëzhvillimin dhe lëvizë ende më shpejt, duke e mundur përditë rrezikun e ngadalësimit nga konkurenca e dobët.

Duke i uruar ditëlindjen liderit historik të socialistëve, uroj gjithashtu që një ditë ta shkruajmë në një libër, së bashku, raportin e turneve tonave, për t’ua lënë në bibliotekën e zyrës së kryetarit, atyre që do të marrin turnin pas nesh. Po ka kohë plot deri atëherë dhe në ndërkohë, uroj për Fatosin shëndet, gëzime e çdo të mirë familjarisht. /tvklan.al