“Duhet shmangur pavlefshmëria e madhe. Listat pjesërisht të hapura”

Prezenca e OSBE/ODHIR në Shqipëri shpreh shqetësimin për orientimin e saktë të votuesve në 25 Prill me fletën e re të votimit, ku kandidatët do të jenë të renditur me numra dhe jo me emër e mbiemër.

Shefja e misionit të vëzhguesve, Urszula Gaçek, në një intervistë për gazetaren Klesiana Omeri në Klan News i konsideron listat zgjedhore pjesërisht të hapura, ndërsa shton se një tjetër shqetësim i OSBE/ODHIR mbetet mundësia për të pasur më shumë fletë votimi të palvefshme.

“Është një listë pjesërisht e hapur sepse ju jep një mundësi zgjedhësve, nuk i detyron ata. Ata kanë mundësi të zgjedhin një kandidat nëse dëshirojnë, duke shfaqur preferencën e tyre. Renditja e kandidatëve me numra në fletën e votimit sigurisht e ka bërë fletën e votimit më të vogël dhe më të menaxhueshme. Për ne ka më tepër rëndësi të shohim nëse në ditën e zgjedhjeve votuesit do të orientohen si duhet kur ta kenë fletën e votimit në duar, në rast se kanë harruar numrin e subjektit dhe kandidatit në listë, a do të jetë e lehtë për votuesit që ta gjejnë informacionin, a do të jetë e lehtë ta mbajnë mend. Kjo është e rëndësishme për ne, a do ta kenë të lehtë ata të njihen me procesin dhe të mos ketë shumë vota të pavlefshme”, thotë ajo.

Shitblerja e votës vazhdon të konsiderohet një problematikë edhe për prezencën e OSBE/ODHIR në Shqipëri, por sipas ambasadores Ursula Gaçek një rol të rëndësishëm në zhdukjen e këtij fenomeni luan denoncimi i rasteve nga vetë qytetarët.

“Në të gjitha bisedat që unë kam zhvilluar është diskutuar shitblerja e votës. Shpesh në këto takime njerëzit më kanë folur për çështje të njëjta që kanë ndodhur në historikun e zgjedhjeve në Shqipëri. Ne jemi në vitin 2021, unë dua të shoh se si njerëzit që po mi rrëfejnë mua këto raste do të reflektojnë, a do ti shfrytëzojnë ata ligjet e reja që janë për këtë çështje, a do i raportojnë këto raste në polici, prokurori. Tashmë ka mekanizma që mund t’i vendosin në lëvizje. Kemi dëgjuar për raste që ndërlidhen me blerjen e votës në të kaluarën. Për ne ka shumë rëndësi që të mbledhim raste, të dëgjojmë çdo kënd, që të përcaktojmë të vërtetën e zhvillimit të procesit”, shprehet Gaçek.

Misioni i OSBE/ODHIR në këto zgjedhje është fokusuar në zona më të thella se në qytete, pasi sipas ambasadores Gacek, vetëm kështu mund të krijohet një panoramë më e gjërë.  

“Fatkeqësisht nuk kemi aq vëzhgues sa kemi shpresuar, kështu që duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm. U kam thënë të dilni nga qendra e qytetit, të shkoni nëpër fshatra, sa më larg të mundeni ku njerëzit nuk presin t’ju shohin. Flisni me ta, shikoni si po organizohen, të flisni me të gjithë kandidatët, jo vetëm me emrat e njohur këtu në Tiranë. Unë kam qenë në Durrës, Elbasan. Kam takuar kandidatë që janë të renditur në pjesën e fundit të listës, kandidatët për herë të parë, nëse ata po përballen me ndonjë presion, po ashtu me kandidatet gra”, thekson Gaçek.

Nëpërmjet Klan News, shefja e misionit të OSBE/ODHIR u bën thirrje shqiptarëve të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar në mënyrë të lirë e demokratike.

Klan News