Ajo zotohet se do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen, të përmirësojë konkurrencën e biznesit dhe politikat e gjelbra

Ursula Von der Leyen do të fillojë fushatën e saj për të kërkuar një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian, duke kërkuar 5 vite të tjera në krye të ekzekutivit të BE-së me një fushatë të rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes, përmirësimit të konkurrencës së biznesit dhe politikave të gjelbra.

65-vjeçarja do të emërohet nga partia e saj gjermane CDU pas një takimi të liderëve të saj në Berlin. Drejtuesja e institucionit më të fuqishëm në Bruksel, i ka ruajtur me kujdes synimet e saj gjatë vitit të kaluar, duke shmangur të gjitha pyetjet mbi këtë temë. Por shpallja e kandidaturës së saj për pesë vjet të tjera do të shënojë hapin e parë në një betejë katërmujore për zgjedhje që mund të përfshijë një fushë më të gjerë, me disa spekulime që kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, mund të jetë një kandidate për këtë detyrë në verë, kur do të bëhet zgjedhja përfundimtare.

Pasi të zgjidhet, ajo duhet të marrë mbështetjen e dy partive të tjera brenda Partisë Popullore Evropiane (EPP), grupimi i qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian, i cili përfshin gjithashtu partitë në pushtet në Greqi, Irlandë, Lituani dhe Suedi.

Më pas, ajo duhet të fitojë një votë në Kongresin e Partisë Popullore Europiane në mars, që do të mbahet në Bukuresht, përpara se të përballet me pengesën e fundit në qershor, kur fillon konkurenca e vërtetë mbi postet kryesore në Bruksel. Sipas mediave zgjedhja e presidentit të Komisionit Evropian është e lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të planifikuar për nga 6 deri në 9 qershor. Partia e saj e qendrës së djathtë Popullore Evropiane (EPP) kryeson në sondazhet përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të qershorit, një parashikim që nëse përkthehet në rezultate do t’i japë asaj të drejtën të propozojë kandidatin kryesor si kreun e komisionit të ardhshëm.

Viktor Orbán, kryeministri i Hungarisë, është i vetmi lider i BE-së që ka deklaruar publikisht se është kundër një mandati të dytë për von der Leyen. Udhëheqës të tjerë, duke përfshirë Petteri Orpo të Finlandës dhe Pedro Sánchez të Spanjës, i cili vjen nga grupi rival socialist, kanë miratuar qëndrimin e saj në detyrë.

Von der Leyen, ka deklaruar se nëse sërish do të mbante këtë post do të krijonte një post të ri atë  të komisioneres së mbrojtjes për të mbikëqyrur mbështetjen e Brukselit për industrinë e mbrojtjes evropiane.  Këto komente pasuan një intervistë me Financial Times javën e kaluar, ku ajo bëri thirrje për më shumë mbështetje financiare për prodhuesit evropianë të armëve përmes subvencioneve për kontratat e prodhimit të përbashkët dhe marrëveshjeve që do të garantonin blerje afatgjatë të produkteve.

Klan News