Garanton vijimin e mbështetjes për Ballkanin Perëndimor
Partitë popullore evropiane, grupimi i partive politike të qendrës së djathtë shpallën kandidaturën e 65-vjeçares Ursula von der Lyen për një mandat të dytë pesë vjeçar në krye të Komisionit Evropian në zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian 6-9 Qershorit. Pas shpalljes së kandidaturës Von Der Leyen ju premtoi shteteve ballkanike mbështetje për anëtarësimin e tyre në BE nëse vijon detyrën si kryeministre e evropës së bashkuar.
“Unë kam qenë gjithnjë mbështetëse e procesit të zgjerimit që për mua gjithsesi është një proces i mbështetur në meritat individuale të shteteve kandidate. Unë do të vijoj të këmbëngul në këtë. Është kënaqësi të konstatoj sesi shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina e Moldavia po bëjnë gjithçka që munden për të realizuar reformat e nevojshme për të lëvizur drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ju garantoj se edhe gjatë mandatit të dytë nëse zgjidhem si presidente e Komisionit Evropian ju garantoj se do të vijoj që të jem një mbështetëse e fortë e antarësimit të shteteve ballkanike në BE. Edhe plani i rritjes ekonomike do të shërbejë për këtë. Jemi në momentin që po përcaktojmë detajet me shtetet e rajonit për të përcaktuar parimet themelore dhe menjëherë këto fonde do të ndahen për të financuar projektet me kusht realizimin e reformave të kërkuara.”
Ish-ministrja e Mbrojtjes gjermane e mori këtë detyrë në vitin 2019. Si mjeke Ursula von der Lyen e ka udhëhequr më së miri evropën e bashkuar përmes pandemisë se koronavirusit dhe në mbështetjen për Ukrainën pas agresionit rus.
Sipas traktateve evropiane, presidentja e Komisionit emërohet me një shumicë të cilësuar nga lideret e 27 shteteve anëtare në mbledhjen e Këshillit Evropian ku edhe aktualisht kanë shumicën liderët e së djathtës.
Propozimi i Këshillit Evropian shkon më pas në Parlament, ku për kreun e ri të Komisionit Evropian kërkohet një shumicë absolute e votave të eurodeputetëve. Këtu gjërat mund të bëhen më të ndërlikuara për zonjën von der Leyen e cila nga kjo e mërkurë nisi fushatën për të mbledhur sa më shumë vota për kandidatët për eurodeputetë nga partitë popullore.
Klan News