Askush nuk mund të ndalë Usain Bolt.

“I biri i Erës” apo “Vetëtima e pistave të Atletikës” janë vetëm disa epitete, për të treguar madhështinë e njeriut më të shpejtë në botë.

Por edhe kaq nuk mjafton, nuk mund të llogaritet me atë që atleti xhamajkan bën sa herë vendoset në vijën e nisjes së garave të tij.

Kështu ndodhi edhe në finalen e 200 metrave në Lojrat Olimpike të Rios.

Një përshëndetje me tifozët dhe një shkelje syri për kamerat të fokusuara te ai.

Usain Bolt dhuroi edhe një herë spektakël.

Kaloi i pari finishin në kohën 19 sekonda e 47 të qindat.

Larg rekordit të vendosur nga vetë ai, por që nuk e pengoi të hyjë në histori si i vetmi që fiton në tre olimpiada radhazi garat e 100 dhe 200 metrave.

Sërish medalje të artë në Rio, e teta personale në Lojrat Olimpike, për ta bërë Usain Bolt “mbretin” e atletikës.

Pa asnjë shans rivalët e tij. Vetëm në vendin e dytë dhe me medaljen e argjendit duhet të kënaqet kanadezi De Grasse, ndërsa me atë të bronzit francezi Lemaitre.

Pas këtij suksesi, Usain Bolt do të kërkojë medaljen e tretë në këtë Olimpiadë në garën e stafetës 4×100 metra.

Tv Klan