Veliaj: Çdo ditë dezinfektojmë qytetin, respektoni distancën e duhur

Bashkia e Tiranës ka ndryshuar destinacionin e ushqimeve që janë blerë për furnizimin e kopshteve dhe çerdheve duke ndihmuar familjet në nevojë.

Në një intervistë për edicionin e lajmeve të orës 15:30 në Televizionin Klan, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se janë duke u ndihmuar me ndihma ushqimore 956 të moshuar të vetmuar dhe 2600 familje që ndodhen në çadra e konteinerë.

Veliaj tha se Bashkia është duke bërë dezinfektimin e qytetit, por kërkoi mirëkuptim për pastrimin e koshave të plehrave duke thënë se tejmbushja e tyre ka ndodhur për shkak të vendosjes së orareve kufizuese ku të gjithë qytetarët dalin njëherësh nga shtëpia.

Tregtari që dhunoi një pensionist në tregun ushqimor të Pazarit të Ri iu hoq licenca, tha Veliaj, ndërsa shtoi se sjellje të tilla nuk do të tolerohen.

Këshilli Bashkiak ka miratuar përmes një procedure online vendimin i cili zgjidh transportin publik të personelit mjekësor, ndërsa shpenzimet për këtë shërbim do të paguhen nga Bashkia e Tiranës.

Tv Klan